“Shqipëria të zhvendosë ambasadën në Jeruzalem”

Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur qëndrimin e Shqipërisë lidhur me influencën e Kinës, sa i përket përhapjes së rrjetit 5G në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mesazhi ka mbërritur nga Presidenti Donald Trump në adresë të Kryeministrit Edi Rama, përmes një letre të publikuar nga vetë kreu i qeverisë.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju falënderoj Juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit. Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë”.

Trump i kërkon Shqipërisë të dalë nga formati kinez 17+1, një platformë ekonomike që përfshin Kinën dhe 17 vende të Europës Qendrore e Lindore.

“Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve- një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17+1 prej të cilit unë ju nxis të dilni”.

Presidenti Trump vlerëson edhe mbështetjen e Kryeministrit Rama për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë e Kosovës, për mbështetjen e paktit për normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe i kërkon të zhvendosë Ambasadën Shqiptare nga Tel Avivi në Jeruzalem.

“Unë dua t’ju falenderoj që e keni mbështetur normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë. Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jeruzalem”.

Por Rama refuzoi me diplomaci kërkesën për të lëvizur Ambasadën në Jeruzalem dhe për t’u larguar nga platforma ekonomike kineze 17+1. Dhe kur flet për bindjet ai thotë se i tillë ishte për çështjen e rrjetit 5G.

Letra e kreut të Shtëpisë së Bardhë është komentuar edhe nga Ambasadorja Amerikane, Juri Kim, e cila e vlerëson atë si përforcim të marrëdhënieve të ngushta mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Tv Klan