Presidenti Trump shkarkon këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton

Presidenti Trump shkarkon këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton

18:22 10/09/2019

Presidenti amerikan Donald Trump ka shkarkuar nga detyra këshilltarin e sigurisë kombëtare, John Bolton.

New York Times raporton se marrëdhënia mes Trump dhe Bolton ishte acaruar për shkak të mosmarrëveshjeve në politikat e jashtme të SHBA-së, në lidhje me Iranin, Korenë e Veriut dhe Afganistanin.

Presidenti Trump ka pohuar shkarkimin e Bolton, përmes një statusi në Twitter ku sqaron: “E njoftova John Bolton se nuk janë më të nevojshme shërbimet e tij. Kisha mosmarrëveshje të theksuara me shumë sugjerime të tij dhe për këtë arsye i kërkova që të jepte dorëheqjen, e cila u pranua mëngjesin e sotëm. E falenderoj për shërbimin e tij. Javën e ardhshme do të emëroj këshilltarin e ri të sigurisë kombëtare”.

Shkarkimi i Bolton vjen në një kohë kur SHBA po përballet me një “luftë” diplomatike me Korenë e Veriut dhe Iranin. John Bolton e konsideron të papranueshme taktikën e Presidentit Trump për bisedime diplomatike me dy prej armiqve të hershëm të SHBA-së.

Donald Trump insiston për të biseduar me Kim Jong Un për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut. Ndërkohë që ditët e fundit, Trump ka shprehur gatishmërinë për t’u takuar me Presidentin iranian Rouhani, në kulmin e acarimit të marrëdhënieve mes këtyre dy shteteve për marrëveshjen bërthamore të vitit 2013. /tvklan.al

Të ngjashme