Preken mbi 170 mijë përfitues të rinj të “Green Card”

Rreth 170 mijë persona që kanë përfituar së fundmi kartën e gjelbër “green card” për në Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të hyjnë në këtë vend të paktën deri në fund të këtij viti. Presidenti amerikan Donald Trump vendosi të zgjasë me rreth 6 muaj afatin e pezullimit të dhënies së vizave për punonjësit e huaj. Vendimi për pezullimin e dhënies së vizave që është në fuqi prej Prillit për shkak të pandemisë së COVID-19, skadonte të hënën.

E paqartë është se si do të procedohet me personat që brenda këtij viti duhet të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara për të kryer procedurat e lejeqëndrimit.

Zgjatja e afatit të pezullimit prek në total 525 mijë persona. Krahas përfituesve të “green card” dhënia e vizave të punësimit pezullohet edhe për një kategori të gjerë punonjësish të huaj. Mes tyre përfshihen punonjësit e kualifikuar në fushën e teknologjisë së lartë, drejtues të korporatave ndërkombëtare por edhe punëtorë sezonalë si ata të sektorit të bujqësisë dhe mamitë.

Qëllimi i këtij vendimi nuk lidhet vetëm me rrezikun e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të infektuar me koronavirus nga jashtë. Zyrtarë të administratës amerikane thanë se një ndër qëllimet kryesore është edhe nxitja e punësimit të shtetasve që jetojnë brenda territorit të Shteteve të Bashkuara për të ulur shifrat e papunësisë që pandemia i shtoi në mënyrë drastike 11.2%, nga 3.5% në Shkurt në 14.7% në Prill kur u shënua edhe rekordi i viteve të fundit.

Kritikët thonë se ky vendim i Trump dëmton firmat amerikane, duke i lënë ato pa krah të kualifikuar pune që në shumicën e rasteve gjendet vetëm nga jashtë. Po ashtu lë në hije rolin e Kongresit në vendimmarrjet për çështjet e emigracionit, frenimin e të cilit presidenti amerikan e ka pasur prioritet që prej nisjes së mandatit. Por shumë prej projektligjeve të propozuara nga republikanët nuk janë miratuar në Kongres.

Tv Klan