Begaj: Pavarësia e Kosovës, proces i pakthyeshëm

I dakortësuar me mikpritësen e tij, presidenten Vjosa Osmani në këtë dalje të parë përpara mediave, ata mbajtën një deklaratë për shtyp pas ceremonisë zyrtare të takimit disa minutësh mes tyre.

Qëndrimi që mbajti lidhur me rezervat për zvarritjen e liberalizimit të vizave nga BE, ishte i njësuar me atë që kanë të gjithë krerët e institucioneve në Shqipëri.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, premtim i vonuar dhe një e drejtë që ata duhet ta gëzojnë si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit.

Po ashtu, si qëndrimi që mbajti parlamenti shqiptar me rezolutën e miratuar me konsensus politik në 21 Korrik, edhe Begaj mendon se raporti i Dik Martit të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në 2011 duhet korrigjuar për shkak të pavertetave të mëdha që përmban ai dokument.

Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijimin e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë, flamurit dhe identitetit kombëtar nuk do të arrijë kurrë të zbehë këtë trashëgimi të lavdishme.”

Vlerësim ka që për qëndrimin e qeverisë së Kosovës në menaxhimin e tensioneve të krijuara në 31 Korrik nga vendosja e barrikadave nga serbët në veri të Kosovës dhe njësoj si qeveria shqiptare mendon se formula e SHBA-së për dialogun Kosovë -Serbi si dhe qëndrimi gjerman duhen vlerësuar si inkurajuese.

Homologia e Begajt, Osmani nxit institucionet shqiptare për të nënshkruar një traktat për mbrojtje të përbashkët.

“Është koha që të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim. Nuk ka dhe nuk mund të ketë ekuivalencë të dy palëve, kur Serbia është ajo që po përdor retorikë luftënxitëse në raport me Kosovën por edhe veprime që cenojnë paqen dhe stabilitetin Shpresoj që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm në raport me veprimet destabilizuese të Serbisë.

Takimet me kryeparlamentarin Konjufca dhe kryeministrin Kurti ishin të mbyllura por dhe me ta presidenti shprehu të njëjtat qëndrime si lidhur me integrimin e Kosovës, ashtu dhe dialogun me Serbinë.

Siç e do protokolli i vizitave të këtij niveli, nuk munguan dhe homazhet e presidentit  në varrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe varrezat e dëshmorëve në Prekaz, aty ku prehen eshtrat e familjes Jashari.

Tv Klan