Ukraina dhe Norvegjia do të bashkëpunojnë në fushën energjetike

Norvegjia dhe pjesa tjetër e Europës duhet të mbyllin portet e tyre detare për anijet ruse. Kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky teksa iu drejtua parlamentit norvegjez.

Bashkimi Europian, shpresoj dhe Norvegjia, do  të vendosin për ndalimin e anijeve ruse për të përdorur portet europiane, ndërkohë që ato po bllokojnë portet tona“, tha Zelensky.

Ai shtoi se Ukraina dhe Norvegjia kanë filluar bisedimet për furnizimin me 5 miliardë metra kub gaz për dimrin e ardhshëm. “Norvegjia mund të japë një kontribut vendimtar për sigurinë energjetike të Europës duke ofruar burimet e nevojshme si për vendet e Bashkimit Europian ashtu edhe për Ukrainën“, shtoi më tej Zelensky.

Presidenti ukrainas nënvizoi se ky hap i parë do të jetë baza për bashkëpunimin e gjatë në këtë fushë mes dy vendeve. Vendi nordik eksportoi 113.2 bcm gaz vitin e kaluar. Kujtojmë se Norvegjia është furnizuesi i dytë më i madh i Europës me gaz pas Rusisë.

Klan News