Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vizitoi këtë të hënë Bucha-n, qytetin nga i cili sa më shumë kohë kalon aq më shumë pamje tronditëse të krimeve ruse dalin në pah.

Sipas asaj që raporton BBC, ai ishte në rrugën në të cilën iu bë pritë një kolone ruse dhe foli me banorët vendas. Zelensky përsëriti se Rusia kishte kryer krime lufte dhe genocid në Ukrainë.

I pyetur nga BBC nëse është ende e mundur të diskutohet për paqen me Rusinë, ai tha: “Po, sepse Ukraina duhet të ketë paqe. Jemi në Europën e shekullit të 21-të. Ne do të vazhdojmë përpjekjet diplomatike dhe ushtarake.”

Bucha ndodhet në periferi të Kievit dhe ishte një prej zonave ku për javë me radhe pati luftime të ashpra. Pas tërheqjes së trupave ruse imazhet që vijnë nga ky qytet janë tronditëse. Njerëz të vrarë në rrugë e varre masive. Ukraina e akuzoi më herët Rusinë për krime lufte, por Kremlini i hodhi poshtë akuzat./tvklan.al