Fokus i bisedës mes Osmanit dhe liderëve të Europës

Këngëtarja Dua Lipa u bë temë bisede edhe në Samitin e Këshillit Europian. Për të dhe festivalin e saj Sunny Hill, u fol mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Presidentes së Këshillit Europian, Ursula Von der Leyen, presidentit të Parlamentit Europian Charles Michel dhe presidentit francez Macron, gjatë fotos zyrtare.

Presidentja e Komisionit Europian la të kuptohet që ishte një fanse e këngëtares me famë botërore. Ishte ajo që pasi u përshëndet me presidenten e Kosovës, e pyeti atë për Duan, ndërsa Osmani e ftoi të ndjekë festivalin e saj.

Ursula von der Leyen: Si është Dua?

Vjosa Osmani: Ajo është shumë mirë. Shpresoj t’ju kemi në Kosovë për festivalin Sunny Hill i cili po sjell një formacion shumë të rëndësishëm.

Biseda bëri kurioz edhe presidentin francez, që mesa duket nuk është shumë i dhënë pas muzikës moderne.

Emmanuel Macron: Kush është Dua?

Vjosa Osmani: Këngëtarja Dua Lipa, është nga Kosova.

Festivali i njohur “Sunny Hill”, i organizuar nga këngëtarja Dua Lipa, do të mbahet për herë të parë në dy kryeqytetet shqiptare, Prishtinë e Tiranë. Festivali u vendos që të mbahej vetëm në Tiranë, pas një konflikti mes komunës së Prishtinës dhe qeverisë Kurti, që refuzoi t’i jepte lejen. Por pak pasi Bashkia e Tiranës i hapi dyert, qeveria Kurti u tërhoq dhe Sunny Hill u rikthye në Prishtinë, ku do të mbahet nga 4 deri në 7 Gusht. Por ai do të mbërrijë për herë të parë edhe në Tiranë, në datat 26, 27 dhe 28 Gusht në kodrat e liqenit.

Tv Klan