Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka nisur vizitën e saj zyrtare në Tiranë.

Sipas axhendës së publikuar më herët, vizita e saj nisi me ceremoninë e mirëseardhjes në pallatin e Brigadave. Ajo u prit nga kryeministri Edi Rama me të cilin pati edhe një takim.

Më pas ajo iu drejtua Presidencës, ku u takua me Presidentin Ilir Meta.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta pret në takim Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe delegacionin zyrtar që e shoqëron

Më pas von der Leyen do të marrë pjesë në ceremoninë e inagurimit të shkollës dhe kopshtit “Korb Muça”, Qerekë, e pas saj do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.

E ardhmja e Shqipërisë është në BE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka nisur këtë të martë vizitën e saj zyrtare në Tiranë. Pas pritjes në Pallatin e Brigadave, ajo pati një takim me Kryeministrin Edi Rama. Në një postim në Twitter vetë von der Leyen u shpreh e kënaqur që e niste turin e saj në Ballkanin Perëndimor nga Shqipëria ndërsa theksoi se e ardhmja e vendit tonë është në BE.

“E kënaqur që nis vizitën time në Ballkanin perëndimor nga Shqipëria: Mesazhi im është i qartë: E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Komisioni Europian qëndron i palëkundur nga ky zotim. Me progres të mirë në reformat e gjyqësorit, është e qartë që Shqipëria ka dhënë rezultate. Tani është koha që BE të bëjë të njëjtën gjë”.

Mesazhi i Ursula von der Leyen para vizitës në Shqipëri

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor e nis nga Shqipëria. Vetë von der Leyen në një postim në Twitter, thotë se ajo e nis këtë tur me një mesazh të qartë.  

“Sot nis vizitën tek 6 partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor, përpara samitit të javës së ardhshme. Mesazhi im është i qartë: Ne ndajmë një të ardhme të përbashkët europiane. Ne po e përgatisim atë tani, duke tejkaluar Covid së bashku, duke investuar në mënyrë strategjie, duke i dhënë rinisë tonë oportunitete“, shkruan presidentja e KE.

Presidentja e KE sot në Tiranë

Përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor që pritet të mbahet më 6 Tetor, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, po viziton Ballkanin Perëndimor.

Sot vizitën e fillon me Tiranën. Në orën 09:00 pritet që Ursula von der Leyen të takohet me kryeministrin Edi Rama në Pallatin e Brigadave, ku do të ketë edhe një ceremoni zyrtare. Pas takimit me Ramën, presidentja e KE do të takohet me Presidentin Ilir Meta në orën 10:00 në Presidencë.

Ndërsa rreth orës 11:15 Ursula von der Leyen do të vizitojë një shkollë në Qerekë të Krujës ku do bëhet edhe konferenca për shtyp me Kryeministrin Rama. Të martën pasdite ajo do të udhëtojë për në Shkup, të mërkurën në mëngjes Presidentja von der Leyen do të jetë në Prishtinë, ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti./tvklan.al