22 tetor 2026 – Presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ligjin për Gjykatën Speciale me seli në Hagë. Presidentja u ka dhënë deputetëve katër javë afat për shqyrtimin dhe miratimin e draftit.

PDK-ja njoftoi se ka vlerësuar që rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara.

Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura si Gjykata Speciale në Hagë. Ndryshimet parashohin kufizimin e juridiksionit të Speciales kryesisht në krimet që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për trafikim organesh, ndryshimin e periudhës kohore që mbulon nga viti 1998–2000 në periudhën 1 korrik 1999–31 dhjetor 2000, si dhe kufizimin e juridiksionit territorial në territorin e Kosovës.

Ligji parashikon gjithashtu një dënim maksimal prej 15 vjetësh burgim, transferimin e rasteve që do të mbeteshin jashtë kompetencës së Speciales në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe mundësinë që të dënuarit t’i mbajnë dënimet në burgjet e Kosovës e, në kushte të caktuara, të përfitojnë falje presidenciale.

Nisma u paraqit pak ditë pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ndryshimet kanë ngritur pikëpyetje juridike dhe kushtetuese, pasi Dhomat e Specializuara u krijuan në bazë të një ndryshimi kushtetues dhe të angazhimeve ndërkombëtare të Kosovës. Ekspertë juridikë kanë paralajmëruar se ndryshimi i mandatit të tyre mund të bie ndesh me këto detyrime. Vetë Gjykata Speciale ka bërë të ditur se nuk është konsultuar për këtë nismë.