Presidentja Justina Shiroka-Pula ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim ndryshimet në Ligjin për Specialen, me kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës. Gjatë ditës, Presidentja ka pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si sponsorizues i ligjit, për t’i dhënë Kuvendit mundësinë e rishqyrtimit të tij.
“Presidentja ka pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës për t’i dhënë Kuvendit mundësinë e rishqyrtimit të tij, veçanërisht të dispozitave që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave”.
Në një komunikatë për media nga PDK-ja është thënë se në rishqyrtim synohet adresimi i elementeve që mund ta pengojnë zbatimin e ligjit.
“Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme. Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme. Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja kurrë nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi”.
Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, e kishte quajtur lojë të ndyrë kthimin e ligjit në Kuvend.
“Kthimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend është një turp i madh dhe goditje e rëndë për Kosovën. Të gjithë ata që janë bërë pjesë e kësaj loje, turpi i mbuloftë për jetë”.
Ligji me ndryshimet për Dhomat e Specializuara është sponsorizuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Megjithëse ka pasur kritika nga Vetëvendosje dhe LDK për cilësinë e ligjit, ata kanë insistuar që projektligji të miratohet me procedurë të përshpejtuar, për çka edhe janë zhvilluar protesta në vend. Ndryshimet në ligj janë kritikuar nga faktori ndërkombëtar.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 