Qeveria: Bisedimet duhet të vazhdojnë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, e sheh të pakuptimtë vazhdimin e dialogut me Serbinë, pas zhvillimeve të fundit në vend. Kërkon që fillimisht të ketë një unifikim politik.

“Të gjitha forcat politike në vend të riunifikohen rreth një qëndrimi të vetëm sa i përket dialogut. Deri më tani ka pasur larmi qëndrimesh, madje edhe brenda koalicionit qeverisës, që është për të ardhur keq”.

Thotë se këtë çështje e ka diskutuar edhe me Kryeministrin, në takimin që kanë zhvilluar një ditë më parë.

E kam ngritur këtë çështje edhe me Kryeministrin dhe kam shprehur qëndrimin që nuk është situatë e favorshme të vazhdohet menjëherë me takime dhe ai më ka thënë se nuk ka në plan të ketë takime gjatë ditëve në vazhdim”.

E sheh si jo racionale që tani të përfshihet në procesin e dialogut, pasi thotë se nuk duhet t’i marrë përsipër marrëveshjet e të tjerëve.

Në një përgjigje me shkrim për Televizionin Klan, zyra e Kryeministrit vlerëson se dialogu duhet të vazhdojë dhe në Bruksel të mbrohen interesat shtetërore të Kosovës, e jo të mbajmë vendin të izoluar e të ankohemi në konferenca shtypi në Prishtinë.

PDK thotë se çështja e dialogut nuk është temë e tyre, por e qeverisë. Edhe AAK kishte shprehur qëndrim për pezullimin e dialogut pas ballafaqimit të ish-krerëve të UÇK-së me aktakuzat e Hagës, ndërsa BE-ja kërkon që pavarësisht zhvillimeve të fundit, dialogu të vazhdojë. 

Tv Klan