Në vend të saj emërohet Kreshnik Radoniqi

Fillimisht u zhvillua një takim në mëngjes që u besua të jetë për datën e zgjedhjeve. Por më pas u raportua në media se presidentja e vendit Vjosa Osmani në takim i ka kërkuar dorëheqjen kryetares së KQZ-së Valdete Dakës dhe kjo e fundit ka refuzuar.

Pak orë më pas presidentja Osmani ka marrë vendim për të shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryetares së KQZ-së. Në arsyetimin e Presidentes, thuhet se kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë i pavarur.

Kryesuesi i KQZ-së nuk vjen nga radhët e partive politike, por emërimi i tij bëhet me një proces të veçantë, fakt ky i cili tregon se kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij edhe kur brenda KQZ-së mund të ketë presione nga subjektet politike. Në procesin e fundit zgjedhor, KQZ ka qenë e polarizuar dhe mbledhjet e vendimmarrja janë shoqëruar me tensione si kurrë më parë thuhet në njoftimin e presidencës.

Sipas komunikatës Daka, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së.

Ndërsa menjëherë ajo ka emëruar  gjyqtarin Kreshnik Radoniqi si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas shkarkimit të Dakës ka reaguar shoqëria civile që e quan të padrejtë, ndërsa partitë opozitare deklarojnë se shkarkimi i Dakës dëshmon kapjen e shtetit.

Tv Klan