BashaReagimi i fortë i mediave dhe qytetarëve e ka detyruar kryetarin e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, të tërhiqet nga një prej projekteve më të mëdha koncesionare të mandatit të tij, atij për bërjen me pagesë të parkimeve të kryeqytetit.

4 ditë kritikash të forta dhe dyshimesh të hedhura mbi këtë koncesion që i bente me pagesë 235 rrugë të Tiranës, kanë mjaftuar që Basha ta braktisë projektin që ai i propozoi të enjten Këshillit Bashkiak.

I pyetur nga Tv Klan, gjatë inagurimit të rikonstruksionit të një kopështi, se përse e kishte prezantuar këtë projekt në përfundim të mandatit, Basha tha befas, se për të mos rënduar xhepat e qytetarëve, pavarësisht nevojës për vend – parkime, do t’i kërkonte këshillit bashkiak shtyrjen e diskutimit mbi këtë koncesion, për 5 vjet.

Lulëzim Basha – Kryetar i Bashkisë Tiranë “Por në kushtet kur ka vrima nga ana e qeverisë, dhe të krizës ekonomike ku e kanë zhytur vendin, dhe për të dalë nga kjo krizë nuk duhet rënduar më shumë qytetari, dhe në këtë drejtim kërkoj heqjen e taksës së transportit publik, uljen e çmimit të karburantit, uljen e çmimit të energjisë. Në këto kushte, gjykimi im është se ky nuk është momenti për të rënduar qytetarët e Tiranës, qoftë edhe me këtë 3-fishim të hapësirave të parkingjeve publike që do të futeshin në projekt me propozimin tonë. Në këto kushte unë do t’i kërkoj Këshillit Bashkiak shtyrjen e propozimit për koncesionin e parkingjeve private me 5 vjet.”

Që ky nuk është moment i duhur për t’u rënduar xhepat qytetarëve, duket se kryetari i Bashkisë së Tiranës e ka kuptuar vetëm pas reagimit të fortë të tyre e mediave, si dhe dyshimeve të hedhura në publik se fituesi i koncesionit ishte paracaktuar.

Ai e dinte gjendjen e rëndë që sipas tij po kalojnë qytetarët nga rritja e taksimit të qytetarëve dhe kriza ekonomike, pasi ka folur mbi këtë krizë thuajse cdo javë që pas ardhjes në krye të Partisë Demokratike. Por pavarësisht se ishte në dijeni të këtij realitet ai e paraqiti projekt –vendimin në Këshillin Bashkiak për miratim: miratim që u shty fillimisht pas hijeve të dyshimit që ngritën disa këshilltarë të majtë, për t’u braktisur tërësisht sot prej tij.

Nga projekti i bërjes me pagesë të 235 rrugëve kryesore, dytësore e blloqeve të banimit, bashkia do të përfitonte vetëm 10 % të xhiros, ndërsa privati do të merrte 90 % te saj.

Tv Klan