Mediat austriake vijojnë t’i kushtojnë vëmendje planit të qeverisë së Vienës për ngritjen e një kampi emigrantësh në Ballkan.

E përditshmja “Presse” shkon edhe më tej, kur shkruan se qeveria e Kryeministrit Sebastian Kurz është në negociata me Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë dhe Kosovën, për vendosjen e emigrantëve të cilëve u refuzohet azili, në një nga vendet e rajonit.

Plani i Kancelarit austriak, raporton “Presse”, është siguria e portave të BE, nga ka marrë jetë edhe bashkëpunimi me Ballkanin Perëndimor.

Pak ditë më parë në një intervistë për televizionin publik ORF, Kancelari austriak Kurz nuk dha një përgjigje të qartë kur u pyet nëse kampi i emigrantëve do të ngrihet në Shqipëri.

Megjithatë Kryeministri Edi Rama vazhdimisht ka hedhur poshtë zërat se i është kërkuar një gjë e tillë nga Viena.

Idenë e vendosjes së emigrantëve në rajon e kundërshton edhe Komisioneri për Zgjerim Johannes Hahn, i cili në një intervistë për Der Spiegel, tha se Ballkani nuk është vendparkim emigrantësh.

Tv Klan