Fund e krye të pavërtetë e ka konsideruar Policia e Shtetit pretendimin e Alfred Alizotit se është kontaktuar dhe shoqëruar për në prokurori nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu. Në një reagim për mediat, Policia e Shtetit thotë se

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ka qenë për asnjë rast, në asnjë rrethanë dhe në asnjë cilësi shoqërues, kontaktues apo në çdo formë tjetër i shtetasit Alfred Alizoti.

Atë që ky i fundit deklaron në një video të regjistruar në mënyrë të fshehtë dhe e prezantuar publikisht nga deputeti Salianji, është fund e krye E PAVËRTETË”.

Sipas Policisë së Shtetit, për këdo të interesuar është lehtësisht i verifikueshëm fakti se Drejtori i Përgjithshëm, në ditën që Alizoti është shoqëruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera.

“Me përgjegjësi publike deklarojmë se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në asnjë rast nuk është përfshirë në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtu-njohur publikisht si çështja “Babale”. Edhe nëse kjo mund të kishte ndodhur, ajo nuk do të përbënte asnjë shkelje ligjore për sa kohë do të ishte në zbatim të urdhërimeve të prokurorisë, ose gjykatës”,

 theksohet në deklaratë.

Me këtë rast, vijon më tej Policia, bëjmë me dije publikisht se në lidhje me çështjen hetimore të sipërcituar Policia e Shtetit nuk ka kryer asnjë veprim procedural me iniciative të vetë, por në çdo rast ka vepruar kur ka patur urdhërime të prokurorisë, ose të gjykatës. Në këtë kuadër edhe shoqërimi i shtetasit Alizoti është bërë në zbatim të urdhrit të prokurorit të çështjes. Ky veprim procedural është bërë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier.

“Jemi të hapur që prokuroria ta hetojë edhe këtë aspekt në detaje në kuadrin e procesit hetimor që ajo po kryen për këtë çështje”,

e mbyll deklaratën e saj Policia e Shtetit.

Videoja e publikuar nga deputeti Ervin Salianji në “Opinion”

Mbrëmjen e së martës, Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji publikoi në emisionin “Opinion” një video të fshehtë ku është filmuar Fredi Alizoti i dosjes “Babalja”, i cili rrëfente se është përdorur nga policia dhe se audio-përgjimi për vëllain e ministrit të Brendshëm është i vërtetë.

Në këtë video, të cilën Salianji tha se po xhirohej pa dijeninë e Alizotit, ky i fundit pretendonte se kishte qenë vetë kreu i policisë Ardi Veliu që e kishte marrë në shtëpi dhe e kishte çuar në prokurori, për të deklaruar se është ai personi që bënte zërin e Agron Xhafajt duke folur në telefon me “Babalen”.

Pjesë nga pohimet e Fredi Alizotit në video

“Ti e di kush ka ardhur të më marrë me makinë mua? Drejtori i Përgjithshëm i gjithë Shqipërisë, ça e ka ai, nga Delvina nga është ai. Erdhi më mori në shpi vlla. Ku je më tha, se e kishin numrin e telefonit në Prokurori. I thashë unë jam te lagjia. Ka ardhur MB, makinë e zezë, më ka marrë, më ka çuar në Prokurori. Ky tani ishte me dy veta. Taulanti ishte ballë për ballë me Prokurorinë, ç’është një lokal aty. Biles kam pirë dhe një kafe dhe filloi të më blinte mendjen, kupton. E kupton ti, muhabete, s’kam gisht fare unë me këtë muhabet thashë unë, di që e kam shok. Ky është muhabeti, në daç besoje në daç mos e beso. Këto që të thashë unë tani janë të vërteta. Ore më vdekshin dy pleqtë po të betohem që është e vërtetë. Ore unë po them kshu tani. Po ju betohem dhe njëherë më vdekshin ça kam në shpi në ju gënjej”.

Një ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda e la në arrest me burg Fredi Alizotin. Sipas Prokurorisë ai është shtirur si Agron Xhafaj, vëllai ministrit Fatmir Xhafaj.

/tvklan.al