Washingtoni dhe Brukseli kundër planeve të publikuara në mediat sllovene

Rikthimi i idesë për ndryshimin e kufijve mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor, këtë herë si ide në dukje e kryeministrit slloven Janez Jansha, ka shkaktuar kundërshtimin e ashpër të Uashingtonit dhe Bashkimit Europian.

Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një reagimi për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, u shpreh kundër çdo propozimi për ndryshim kufijsh në rajon dhe se mbështet vetëm ndarjen territoriale të përcaktuar në marrëveshjen e Dejtonit të 1995-s.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Bosnje dhe përfaqësuesit e strukturave të tjera të unionit në këtë vend thonë se BE-ja është padyshim e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Bosnjës.

Mediat sllovene publikuan një dokument jo zyrtar, që mendohet se ka qarkulluar në rangjet e larta të qeverisë, për t’ju dërguar si propozim për diskutim Këshillit Europian në gjysmën e dytë të këtij viti, kur Sllovenia të marrë presidencën e radhës të unionit.

Siç është materializuar në një hartë, në dokument propozohet që pjesa më e madhe e Kosovës t’i bashkohet Shqipërisë së bashku me Luginën e Preshevës. Veriu i Kosovës, Republika Serbe e Bosnjes dhe territoret e tjera të banuara nga serbët në këtë vend t’i bashkohen Serbisë, jugu i Bosnjes t’i bashkohet Kroacisë, ndërsa Bosnja të ruajë një territor tepër të reduktuar.

Kryeministri Janez Jansha e quajti megjithatë si të pavërtetë dhe spekulim këtë dokument. 

Tv Klan