“Kemi ndërtuar partinë më të re që sot është në fletë votimi”, kështu e nisi fjalën e tij sot kryesocialisti Edi Rama gjatë prezantimit të kandidatëve të PS në Tiranë. Për forcat e tjera politike, tha se janë “ose të kalbura, ose pa asnjë eksperiencë”. Ashtu si herët e shkuara, u përqendrua te “misioni” i anëtarësimit të Shqipërisë në BE.


“Do lodheni duke më dëgjuar ta përsëris çdo ditë, në këto zgjedhje ka diçka që është përtej punëve tona të përditshme, nevojave të çdo komuniteti në jetën e përditshme. Përtej gjeneratës time, gjeneratës tonë, që lidhet drejtpërdrejt jo thjesht me partinë tonë, por me fatin europian të Shqipërisë. Rrethanat kanë dashur që në 11 Maj ne të kemi një palë zgjedhje politike, ndërkohë që po negociojmë anëtarësimin në BE. Për herë të parë, qysh se ne kemi filluar ta ëndërrojmë këtë, ne kemi një mundësi reale dhe aktuale që të bëhemi anëtarë të BE-së. Nuk e kemi pasur, ajo që dua ta kuptojmë është se mund të mos e kemi pas disa kohësh!”, deklaroi ai.

“Më 11 Maj kalon treni i historisë për të mbyllur negociatat”, theksoi kryeministri i vendit.

Duke bërë një krahasim me disa vende të rajonit, shtoi se “Shqipëria në familjen europiane” është më pranë finalizimit se kurrë më parë.

“Eh mor Rame prapë do mandat tjetër ti, prapë me BE-në ti!! Mirë pra, por nuk dinë disa gjëra shumë të thjeshta. Ne negociatat i kemi hapur zyrtarisht vjet, e dini kur i ka hapur Mali i Zi? Në 2012-ën! Atje nuk u thonë hë mo prapë dolët ju, sepse kjo është një betejë ku ti bën punën tënde dhe janë 27 të tjerë që duhet t’i sjellësh në një mendje. Serbia i ka hapur negociatat në 2014-ën, ndërkohë që ne akoma s’kishim marrë statusin e kandidatit, më besoni mua kur ju them që na janë dashur disa vite që të fillojnë ata andej të na shohin në sy kur ne filisnim për të hyrë në BE, që të mos rrinin me sy ulur, se hajt flisni ju se kemi ca punë të tjera. Kroacia ka negociuar 7 vjet. Çfarë duhet më shumë këtu për të kuptuar?! Sa rëndësi ka këtu tani tifozllëku partiak?!”, përfundoi kreu i qeverisë.

/tvklan.al