Studiuesi Bido: Nacionalizmi politik tenton të prodhojë një 20% të pa qenë të popullsisë greke, do të kishte implikime politike afatgjata

Studiuesi Ardit Bido zhvilloi një tur prezantimi të librit të tij “Beteja për 20 përqindshin” në Delvinë, Sarandë, Konispol, Himarë dhe Vlorë. Libri trajton fluiditetin e identitetit etnik në tri fshatra të Himarës dhe në popullsinë kuçovllehe të Konispolit dhe implikimet politike që tentohen të krijohen artificialisht përmes censit të këtij viti.

“Përmes këtij libri tentoj të pasqyroj tentativat, në radhë të parë pse ne kemi në tre fshatra, Himarë fshat, Dhërmi dhe Palasë, fshatrat e vetëm greqishtfolës të Himarës, pse kemi fise që identifikohen si ‘greke’ dhe ‘shqiptare’ historikisht. Ky është ‘fluiditeti i identitetit’, një koncept shkencor që ne në Ballkan, në nacionalizmat tona, e harrojmë. Por, që është një koncept shkencor i rëndësishëm, i trajtuar kudo në botë. Dhe, po ashtu, ndër ata vllehë të Konispolit, të cilët janë të vajtur pas ’45-s, janë kuçovllehë, janë me origjinë nga Pindi, të cilët kanë po ashtu disa vetëidentifikim shqiptar, disa vetëidentifikim ‘grekë’ dhe disa ‘vllehë’.”

Në takimin me intelektualë në Sarandë, pedagogia e historisë, Esmeralda Kolaneci, ka vlerësuar se ky botim ka karakter shkencor dhe hedh hapin e parë në kryerjen e studimeve të thelluara.

“Është personi adapt për të bërë studime të tilla, prandaj ka ngritur peshë edhe opinionin publik dhe ka marrë vlerësime maksimale të njerëzve të botës akademike dhe të letrave. Vërtet ky libër ka karakter shkencor, andaj duhet t’u jepet fjala gjithmonë njerëzve me kompetencë profesionale, aq më tepër kur i referohen studimeve empirike dhe studimeve të botës akademike.”

Gjatë turit të prezantimit të këtij libri studiuesi Bido ka nënvizuar se përmes nacionalizmit politik tentohet të prodhohet një 20 % i paqenë, që do të kishte implikime politike afatgjata.

Klan News