Projekti për ndërtimin e Portit të Durrësit nga kompania ndërkombëtare Emaar Group do të jetë i përfunduar brenda 6 vitesh.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama nga qyteti bregdetar ku u prezantua masterplani për portin më të madh në Shqipëri.

Investimi për këtë port do të kapë shifrën e 2 miliardë Eurove. Ndërsa Kryeministri tha se ndërtimi do të bëhet në 5 faza dhe gjithçka do të përfundojë brenda 6 viteve.

“Ishte takimi me mikun tonë të shtrenjtë që i hapi rrugë këtij projekti dhe sot ky nuk është një projekt i përgatitur për të bërë këtu reklamë. Kjo është kartolina e një projekti që është gati të filojë me fazën e parë, ka 5 faza. Më në fund Durrësi kthehet në një post plot mundësira dhe plot atraksion të vetë Mesdheut. Që të gjithë ata që janë dhënë pas lundrimit, ata që kanë jahte dhe gjithë të tjerët që lëvizin nga një vend në tjetrin do duan të vinë në Durrës. Kjo është vërtetë një arsye për t’u ndjerë shumë të frymëzuar që ne ta çojmë deri në fund realizimin e kësaj ëndrre që nga 3D këtu në 4-5-6 vite do të jetë këtu ku ne jemi sot, ku nuk do të ketë më konteiner, vinça, ku s’do ketë më ndotje, por do të ketë një jetë të re që pulson dhe këtu do jetë zemra e turizmit shqiptar dhe Durrësit do të kthehet në një forcë të madhe të shtuar të ekonomisë shqiptare. Durrësi do të kthehet aty ku ishte atëherë kur këtu vinin ato pak anije që lëviznin në atë kohë dhe këtu lëvizte e gjithë tregtia, në vend do të vijnë të gjitha anijet e kohës që jetojmë. Sot kemi një projekt dhe kemi një afat, kemi hyrë tanimë në rrugën e zbritjes së ëndrrës në tokë. Lajmi i mirë është që njeriu që vjen këtu me këtë pëlhurë ku është vizatuar me imazhe ëndrra jonë nuk është dikush që ka shumë para, por është dikush që çfarë e tregon këtu e ka bërë aty prej nga vjen dhe quhet Dubai, porti turistik i Dubait, quhet vendi që nga shkretëtirë u kthye në magnetin e botës”, u shpreh Kryeministri.

Porti i ri i Durrësit do të rrisë edhe ekonominë e bizneseve të tjera të zonës.

Kjo është një burim energjie për të gjithë zonën. Të gjitha këto që do ndërtohen në këtë port do rrezatojnë ekonomikisht tek të gjithë ata që kanë ndërtuar hotele përgjatë bregut. Vlera e gjithçka që ata kanë investuar do të rritet”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se përveç Portit të Durrësit do të ndërtohen edhe portet e Vlorës, Sarandës e Shëngjinit.

I pranishëm në aktivitetin e mbajtur në Portin e Durrësit, ishte edhe drejtuesi i kompanisë Emaar Group. Rama zbuloi edhe sekretin për ai vendosi që të investonte në Shqipëri.

“Arsyeja pse besoi te Shqipëria jam i bindur që lidhet me fëmijërinë e tij për të cilën më ka treguar se jetonte në varfëri. Është një njeri shumë i zakonshëm nga një familje e varfër që pa me sy hapur një ëndërr, që e ndoqi përmes shumë sakrificave dhe arriti që të jetë njëri prej atyre që e kthyen shkretërirën në një minierë të ardhurash dhe i dhanë popullit të tyre një buzëqeshje dhe më ka thënë që mua më ngjiti dashuria dhe mirënjohja e përjetshme për nënën time. Unë do vij në Shqipëri, do rri në Shqipëri dhe do të ndihmoj që njësoj siç ka ndodhur me aq shumë familje dhe njerëz jo të pasur që sot bëjnë jetë me mirëqenie të lartë në tokën time, të ndodhi edhe në tokën tënde”, tregoi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al