Rama: Respektoni masat që të shmangim mbylljen totale

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë rregullat anti-covid nëse duan të shmangin një mbyllje të dytë totale. Nga Lezha ku morri pjesë në prezantimin e platformës online “Akademi.al”, kreu i ekzekutivit theksoi se të gjithë duhet të jenë të vetdijshëm për rrezikun që po kalon vendi për shkak të virusit, ndërsa theksoi se kjo situatë mund të kalojë vetëm me mbajtjen e maskës dhe ruajtjes së distancës.

Është momenti të bëhemi të gjithë të vetëdijshëm se çfarë rreziku po kalojmë. Rreziku që po kalojmë është që të na duhet të mbyllemi përsëri, një mbyllje përsëri do ishte shumë herë më problem dhe me shumë më tepër pasoja se mbyllja e parë në të gjitha aspektet për të gjitha kategoritë. Ne mund ta shmangim duke mos shmangur atë që duhet të bëjmë në përditshmen tonë, duke mos shmangur bezdinë jo të vogël të vënies së maskës”, tha Rama.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi teksa prezantoi platformën online të mësimit tha se ajo do t’i shërbejë nxënësve, mësuesve dhe prindërve, nëse do të duhet që klasat për shkak të infektimeve duhet të mbyllen.

Nëse ndodh që të ketë infektim dhe klasat duhet të mbyllen, nxënësit duhet të vazhdojnë në kushte shtëpie dhe nuk e humbasin mësimi. Akademi.al është platformë shumëdimensionale dhe e thjeshtë në përdorim ku çdo mësues, nxënës dhe prindër kanë akses në përdorim. Platforma është falas ndërkohë që videot janë për të gjitha lëndët”, shtoi Evis Kushi.

Platforma “Akademi.al” ofron gati 5000 video ndërsa mësuesit dhe nxënësit duhet të regjistrohen përmes kodeve unike për të krijuar klasat virtual. Aktualisht në këtë platform janë rregjistruar rreth 20 mijë mësues dhe 100 mijë nxënës.

Tv Klan