Është prezantuar këtë të premte portali i fermerit. I pranishëm në ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ai u shpreh se portali mundëson informacion në kohë reale. Në këtë mënyrë, sipas tij, fermerët fitojnë pavarësi nga pengesat, pamundësitë, keqinformimi, etj.

“Do të fitojnë pavarësi nga të gjithë kthesat pengesat, pamundësitë, ose edhe nga dezinformimi, keqinformimi, shtrembërimi i fakteve, që jo gjithmonë ndodh qëllimisht”, tha Rama.

Sipas tij, portali do të ndihmojë fermerët që të kuptojnë se çfarë kërkon tregu dhe për pasojë edhe se çfarë kulturash duhet të kultivojnë. Rama theksoi se portali i fermerit adreson edhe transparencën e çmimeve.

“Ky portal bën transparencë të plotë të çmimeve dhe çdo mëngjes pa dalë nga shtëpia duke pirë kafen fermeri hap dhe shikon sa janë çmimet. Askush nga grumbulluesit nuk mund t’i fshihet realitetit të çmimit duke bërë truqe dhe abuzime”, tha Rama.

Tjetër mundësi nëpërmjet këtij portali, sipas Ramës është edhe fakti që të jep mundësi që të shikosh se cilat janë rrugët për të marrë financim. Dhe kur vjen puna tek financimi, kreu i qeverisë theksoi se para do të jepen vetëm për ata që mbjellin kultura që funksionojnë.

Portali i fermerit, www.agroalbania.al, do të mundësojë informacion në kohë reale mbi tregjet, çmimet, analizat ushqimore, skemat aktive të mbështetjes dhe instrumentet e financimit, kujdesin veterinar, ofertën e farmacive bujqësore, tipologjinë e grumbulluesve, mundësitë e tokave me qira, legjislacionin në fuqi e shumë informacione të tjera, duke iu bërë krah fermerit në jetën e tij të përditshme./tvklan.al