Kjo do të jetë pamja finale e automotoparkut të Elbasanit.

Projekti final u hartua në bashkëpunim me përfaqësuesit e Formula 1 dhe ambicia e kryeministrit është që në 2030-ën në pistën e Elbasanit të zhvillohet dhe gara e parë e makinave që marrin pjesë në eventin sportiv me shikueshmërinë më të lartë botërore afro 1 miliard teleshikues.

“Ambicia është që ‘’Shqipëria 2030’’, të jetë edhe vendi mikpritës i garës së Formula 1, diçka e pakonceptueshme deri para ca kohësh dhe diçka jo lehtësisht e konceptueshme nga vende shumë më me emër sesa i yni, por ja që ne ia dalim dhe aty ku në një farë mënyrë, basti duket i pamundur”, tha Rama.

Sipas përfaqësuesve të qeverisë nuk bëhet fjalë thjeshtë për të sjellë një garë në Elbasan, por për instalimin në ekonominë shqiptare të një motori të ri.

“Ky projekt është ekonomi sepse në harkun e 360 ditëve të vitit, ky projekt do të krijojë një destinacion”, tha kryeministri Rama.

Pjese e automotoparkut do të jetë një zonë e dedikuar për garat e kartingut për fëmijët, por dhe një qendër e trajnimit për sigurinë rrugore ku do të zhvillohen kurse formuese të dedikuara për grupmosha dhe përdorues të ndryshëm të rrugës.

Sipas ministrit të Ekonomisë do të ulte me afro 30 përqind mundësinë për t’u përfshirë në aksidente rrugore.

Tv Klan