Basha-tramiBashkia e Tiranës është gati të nisë ndërtimin e tramit në kryeqytet. Është prezantuar sot projekti që pritet të lehtësojë levizjën e qytetarëve si dhe të ulë kostot për transportin e tyre në Tiranë.

Linja e tramit Kombinat-Kinostudio do të ketë një gjatësi për afro 9 km. Përllogaritet në fazën e parë të transportojë 90 mijë pasagjerë në ditë, me një perspektivë të dyfishimit deri në 186 mijë pasagjerë në ditë në periudhën afatmesme. Kosto e transportit sipas studimit parashikohet në 50 lekë/për person, ndërsa çmimi i mesatarizuar, duke përfshirë edhe shërbimet e aboneve mujore apo vjetore është 41 lekë/për person.  Kryebashkiaku Basha tha se bëhet fjalë për një premtim të mbajtur.

Zbatimi i projektit do të jetë me koncesion ose partneritet publik – privat.

Për realizimin e këtij projekti, që do të lehtësojë dhe modernizojë levizjen e qytetarëve, Basha tha se është nevoja e mbështetjes edhe të qeverisë në mënyrë që të garantohet fondi i investimit.

Lulzim Basha:

” Në fund të fundit, pavarësisht se akoma nuk u zgjidh se kush e përmendi dhe si çështjen e tramit, tramin e kishim të dy kandidatët. Kryetari i Bashkisë përfundoi projektin, ish-kryetari i Bashkisë ka mundësi të tregojë seriozitetin dhe përkushtimin duke angazhuar atë levë dhe mekanizëm që do angazhonte çdo qeveri europiane, garancinë sovrane për Bashkinë e Tiranës, për të realizuar tramin, jo për kryetarin e Bashkisë por për qytetarët e Tiranës.”

Kosto e përgjithshme e projektit, vlerësohet të jetë në rendin midis 120 dhe 155.5 milionë euro.Pas projektit të përfunduar të menaxhimit të trafikut në kohë reale, projekt në zhvillim nga Bashkia është ai i bulevardit dhe lumit të Tiranës. Brenda këtij muaji i kryetari Basha tha se do ti propozojë Këshillit Bashkiak autorizimin e Bashkisë së Tiranës, për dhënien me koncesion të  terminalit multimodal të pasagjerëve.

TV KLAN