Veliaj: Nuk kemi rrëzuar kurrë një shkollë për të bërë një pallat

Shkolla “Sami Frashëri do të ketë 2-fish më shumë hapësira kur të përfundojë ndërtimi i saj. Kryebashkiaku i Tiranës që prezantoi projektin, siguroi se do të jetë shkolla më e mirë në rajon.

“Kur dëgjoj këta që thonë ndërtime, ndërtime, patjetër do të ketë ndërtime për sa kohë që Tirana rritet me 25 mijë veta në vit. Por një gjë nuk e kemi bërë kurrë, nuk kemi rrëzuar kurrë një shkollë për të bërë një pallat, përkundrazi nëse është rrëzuar është si ky rasti i ‘’Sami Frashëri’’ për ta bërë më të mirë”.

Veliaj u ndal tek disa nga investimet e bëra nga Bashkia.

“Ky vendi ku jemi këtu nuk ekzistonte, ishte një parking i madh makinash, sheshi prapa nesh nuk ishte këtu, bulevardi Zogu i Parë, mbaron për pak. Bulevardi i ri nuk ekzistonte, Pazari i Ri që këtë javë mori çmim nga Arkitektura Botërore si një ndër 10 investimet e fundit më të bukura në botë. Do të thotë që e paskemi në dorë vetë të ndryshojmë këtë realitet dhe unë gjithmonë kam besuar që fushata më e mirë është puna”.

Shkolla “Sami Frashëri” do të ndërtohet nga buxheti i shtetit dhe ai i Bashkisë së Tiranës. Godina e re do të ketë një kapacitet pritës prej 1500 nxënësish, 50 klasa, 7 laboratorë dhe një bibliotekë 5 herë më të madhe.

Tv Klan