Pas Paktit për Universitetin, Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kanë bërë publik projektin e Kampusit Universitar në Qytetin Studenti. Një projekt i hartuar nga një kompani e njohur italiane, pas një konkursi ndërkombëtar të zhvilluar në 2015.

Rama dhe Veliaj akuzojnë paraadhësit demokratë se janë bërë pengesë për realizimin e këtij projekti. Arsyeja e sinkronizuar që japin Kryeministri dhe Kryebashkiaku janë legalizimi i ndërtimeve pa leje brenda territorit të qytetit studenti.

Rama gjen rastin t’u ripërsërisë kundërshtarëve të Ligjit të Arsimit të Larte se ai nuk preket. Jo të paktën derisa argumentet që ata sjellin, sipas tij, të jenë bindëse. Dhe si në të gjitha takimet e fundit, të zhvilluara si pjesë e dialogut me studentët, nuk ka munguar përplasja e Kryeministrit me një prej tyre.

Projekti i Kampusit Universitar parashikon rindërtimin e godinave ekzistuese që ka nisur tashme, si dhe ndërtimin e 11 godinave të reja, një mense, terrene sportive, si dhe një biblioteke më të madhe. Rama premton se realizimi projektit do të mundësohet brenda mandatit të ardhshëm të Kryebashkiakut të Tiranës.

Tv Klan