Në Tiranë, Dibër dhe Përmet ka nisur të pilotohet projekti i pagesave dixhitale përmes një llogarie elektronike që shkarkohet në telefon si aplikacion.

Janë 300 personat e përzgjedhur, të cilëve për tre muaj do t’ju derdhet në këtë llogari dixhitale një shumë prej 10 mijë Lekësh e cila do të perdoret për çdo pagesë që nga kafja e deri tek pagesat utilitare si ujë, drita apo telefon.

Kjo është një formë që qeveria ka zgjedhur të pilotojë për të eleminuar pagesat me para në dorë.

Sipas qeverisë, këto janë forma pagesash me 0 komision, ose me për qindje të ulët të cilat mund të përdoren dhe për transfertat e parave mes individëve si brenda dhe jashtë vendit.

Kryeministri lajmëron se shumë shpejt Shqipëria do të bëhet pjesë e sistemit të pagesave SEPA që do të sjellë përfitime për shqiptarët që jetojnë jashtë dhe duan të dërgojnë para pranë familjeve të tyre.

Përmes llogarive të tilla dixhitale, qeveria ka planifikuar të shpërndajë dhe pensionet duke hequr dorë nga shpërndarja fizike në sportelet e postave apo përmes zarfave nëpër shtëpi.

Tv Klan