Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku paraqiti ndryshimet në strukturën e Prokurorisë së Përgjithshme gjatë një takim pune me prokurorët dhe drejtorët e departamenteve. Ndryshimet janë kryer pas këshillimeve me drejtorët e Drejtorive dhe përputhshmërisht në zbatim të paketës së re të Reformës në Drejtësi.
Në kuadër të strukturës së re të Prokurorisë, është krijuar pas një viti sektori i hetimit disiplinor.
Kryeprokurorja Marku theksoi se kjo drejtori do të ofrojë kapacitetet më të mira në funksion të hulumtimit të problematikave gjatë zbatimit të ligjit në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm.
Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar edhe ndryshimet në strukturën e këtij institucioni.
1-Drejtoria Gjyqësore;
2-Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë dhe Verifikimit të Integritetit të Personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike;
3-Drejtoria e Përgjimeve të Telekomunikimit dhe Marrëdhënieve me Shërbimet Informative;
4-Drejtoria e Ndihmës për Subjektet e Posaçme, Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Inspektimit, Studimeve dhe Projekteve;
5-Drejtoria e Teknologjisë, Informacionit dhe Ekspertizës Kibernetike.
6-Drejtoria e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse.
“Trupa e prokurorëve ndodhet përpara procesit historik të rivlerësimit për vetë prokurorët dhe tërë sistemin e drejtësisë. Mbështetje të vendosur për çdo prokuror për të vazhduar me përkushtim ushtrimin e funksioneve, që procesin e rivlerësimit ta shohin jo si ndëshkim, por si mundësi për dinjitet, reputacion për vete dhe institucionin. Ky proces është i domosdoshëm për të përmirësuar problematikat e të shkuarës dhe për të vazhduar me forcë përpara në shërbim të interesave madhore të përbashkëta”
, u shpreh kryeprokurorja Arta Marku.
/tvklan.al