Në një dhomë të qetë në Qendrën Mjekësore të Kafshëve Schwarzman në Manhattan, një mace endacake e quajtur Betty po merr kujdes mjekësor.

Ajo është në mesin e shumë katërputrosheve të tjere që kanë përjetuar forma të ndryshme abuzimi.

Prilli shënon muajin e parandalimit të mizorive ndaj kafshëve dhe aktivistët, veterinerët dhe ligjvënësit vënë në dukje se sa të brishta janë ato dhe se nevojiten më shumë përpjekje ligjore për t’i mbrojtur ato.

“Unë nuk e kuptoj se si kafshët mund të trajtohen keq sepse janë të pafajshme. Ato të japin dashuri të pakushtëzuar. Mendoj se kushdo që nuk i pëlqen kafshët dhe sillet keq ndaj tyre nuk është një person i mirë. Natyrisht, ka njerëz që janë mizorë ndaj fëmijëve, do të ketë edhe njerëz që i trajtojnë keq kafshët. Ne kemi raste kur na sjellin kafshë të dhunuara. Domethënë, njerëzit vijnë këtu dhe thonë: ‘Oh, këmba e qenit tim është thyer, nuk e di se çfarë ka ndodhur’. Dhe në fund zbulojmë se në fakt pronari i ka thyer këmbën. Ne kemi edhe kështu rastesh. Por ka njerëz të ndryshëm në botë dhe kjo është arsyeja pse unë jam këtu. Unë jam këtu sepse i dua kafshët dhe këtë bëj. Më pëlqen t’i trajtoj mirë kafshët. Më pëlqen të jem pranë kafshëve. Unë komunikoj me ato shumë më mirë sesa me njerëzit”.

Ann Marie Zollo, një veterinere në këtë qendër shprehet se kafshët ashtu si fëmijët e kanë të pamundur të mbrohen vetë.

“Kafshët janë shumë të ngjashme me fëmijët. Ato janë kaq të pafajshme dhe nuk kanë shumë zgjedhje në rrethanat e tyre të jetës. Ne nuk duam kurrë t’i shohim në një situatë ku ato keqtrajtohen. Por nëse ato shpëtojnë, ne jemi shumë mirënjohës që mund të jemi pjesë e rimëkëmbjes së tyre dhe shpresojmë t’i çojmë në një shtëpi më të mirë.”

Ann Marie Zollo tregon se fatmirësisht rastet e keqtrajtimit të kafshëve nuk kanë qenë në rritje.

“Tani për tani në qendrën tonë raste të tilla nuk kanë qënë në rritje. Për fat të mirë, ne kurrë nuk kemi patur  disa raste në të njëjtën kohë, gjë që është e mrekullueshme sepse padyshim, edhe pse duam t’i ndihmojmë këto kafshë, ne nuk duam që kafshët të përjetojnë një situatë të tillë. Pra kemi një numër mjaft të qëndrueshëm të rasteve në çdo periudhë të vitit.”

Nëse një kafshë shtëpiake paraqitet me lëndime të dyshimta, stafi njofton policinë, e cila më pas heton rastin.

“Nëse ne dyshojmë se kafshët janë keqtrajtuar, ne mund të telefonojmë policinë dhe ajo do të hetojë. Ata mund të bëjnë një dosje  dhe më pas, nëse është e nevojshme, kafshët mund të sillen këtu ose në ndonjë qendër tjetër të ngjashme. Për sa i përket rolit tonë në parandalimin dhe trajtimin e kafshëve ai është i dyfishtë. Ndonjëherë mund të kemi dyshime për një rast të tillë dhe është detyra jonë ta raportojmë këtë në polici, jo domosdoshmërisht për të hetuar, por nëse kemi dyshime, patjetër që do të telefonojmë policinë. Ne jemi gjithashtu shumë me fat në faktin se jemi partnerë me Shoqatën Amerikane për Parandalimin e keqtrajtimt ndaj Kafshëve në kujdesin për kafshët që kanë përjetuar lloje të ndryshme keqtrajtimi.”

New Yorku miratoi legjislacionin në fillim të Prillit për të përfshirë kaqtrajtimin ndaj kafshëve në ligjet e vendit, i cili lejon gjykatat të kufizojnë përkohësisht aksesin me armë zjarri për individët që konsiderohen të rrezikshëm.

Hulumtimet e bëra deri më tani tregojnë për një lidhje midis keqtrajtimit ndaj kafshëve dhe krimeve të dhunshme. Një studim nga Shoqata e Masaçusets për Parandalimin e keqtrajtimit ndaj Kafshëve dhe Universitetit Northeastern zbuloi se abuzuesit e katerputrosheve kanë pesë herë më shumë gjasa të dëmtojnë njerëzit.

Senatori republikan i shtetit James Tedisco, një avokat për një kohë të gjatë për mirëqenien e kafshëve, ka prezantuar gjithashtu një sërë projekt-ligjesh për të forcuar dënimet për abuzimin dhe për të kërkuar vlerësime psikiatrike për shkelësit e dënuar.

Por për Linda B. Rosenthal e cila përfaqëson Distriktin 67 si Demokrate në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut  thotë se ligjet duhet të ndryshojnë.

“Tani duhet të përditësojmë ligjin tonë për të futur ligjet e kafshëve në kodin penal, sepse po flasim për krime. Dhe për fat të keq ndonjëherë krimet kundër kafshëve nuk konsiderohen të rënda sepse kafshët, konsiderohen pronë. Një kafshë është padyshim një anëtar i familjes, jo i krahasueshëm me një tavolinë apo karrige, por ligji është mbapa në këtë aspekt.”

Sipas Shoqatës Amerikane, keqtrajtimi mund të jetë në shumë forma nga plagët e patrajtuara dhe qaforet e forta e të ngushta e deri tek kafshët shtëpiake të lëna jashtë në kushte ekstreme ose të mbyllura pa ushqim dhe ujë.

Teksa Prilli është muaji i ndërgjegjësimit ndaj keqtrajtimit te kafshëve, në Qendrën Mjekësore Schwarzman puna vazhdon gjatë gjithë vitit. Kohët e fundit këtu është shtuar një njësi të re të kujdesit intensiv dhe po zgjerohet më tej këtë vit stafi e sheh punën e tyre një mision.

Klan News