Princi William i Mbretërisë së Bashkuar ka shkuar në Estoni me qëllim mbështetjen e trupave ushtarake angleze që ndodhen aty.
Ushtria britanike në Estoni është dislokimi më i madh operacional jashtë kufijve të Mbretërisë, e cila po mbron shtetin Baltik nga kërcënimi i Rusisë, siç raporton BBC.
Ditën e sotme, William mbërriti në Tallinn, ku u mirëprit nga vendasit të rreshtuar, të cilët prisnin t’i jepnin dorën Princit apo dhe të bënin foto me të.

I ndodhur në një tank Challenger 2, anëtari i familjes mbretërore sinjalizon angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të penguar çdo agresion nga Rusia, siç sqaron BBC.
Në kampin Tapa, një zonë stërvitjeje ushtarake, Princ William vëzhgoi veprimet e ushtarëve dhe pajisjet e tyre që ndihmojnë në ruajtjen e krahut lindor të NATO-s.
Tapa është pjesë e Operacionit Cabrit, ku një Brigadë e Ushtrisë Britanike ndodhet aty në gatishmëri për mbrojtjen dhe sigurinë e NATO-s, pasi është një rajon i cenueshëm.
Sakaq, Estonia është një mbështetje e madhe për Ukrainën, pasi shumë familje nga vendi luftues janë refugjatë në Estoni.
“Rezistenca ukrainase është kudo. Ju keni një shpirt të mirë, e kjo është shumë e rëndësishme”, u shpreh Princ William përgjatë vizitës së tij në Tallinn./tvklan.al