Princesha e Dubait shfaqet në Spanjë




Princesha e Dubait shfaqet në Spanjë

22:20 21/06/2021

Grupet e të drejtave të njeriut janë shprehur se ajo po udhëton me shoqërinë e saj 

Princesha e Dubait Latifa al-Maktoum së fundmi është shfaqur në Aeroportin Barajas në Spanjë. Avokatët e saj janë shrpehur se tanimë ajo po gëzon lirinë dhe po udhëton.

David Haigh, bashkëthemelues i fushatës Free Latifa është shprehur se tanimë Latifa ka një pasaportë dhe është çliruar dhe se këto hapa janë shumë pozitivë. Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Zyra e Mediave e qeverisë Dubai ende nuk kanë dhënë asnjë koment në lidhje me fotot e fundit.

Një imazh në Instagram i botuar nga një grua e identifikuar në mediat britanike si ish anëtare e Marinës Mbretërore, Sioned Taylor tregon Latifa bint Mohammed al-Maktoum  teksa buzëqesh. “Festë e madhe evropiane me Latifa. Po argëtohemi duke eksploruar!” , thuhet në mbishkrimin e fotos.

Në 23 Maj princesha e Dubait u shfaq në një restorant në shoqërinë e dy mikeshave të saj. Në mes të Shkurtit, “BBC Panorama” transmetoi një dëshmi të fshehtë në të cilën ajo tha se po mbahej si peng dhe kishte frikë për jetën e saj.

Latifa Al –Maktum mbahej peng nga i ati, sheiku Mohamed bin Rashid al Maktum, sundimtar i Dubait. Ajo deklaroi në atë kohë se kishte nevojë për kujdes shëndetësor dhe ligjor teksa qëndronte në një vilë me dritare dhe dyer të mbyllura e ruajtur nga policia.

Princesha e Dubait është një nga 25 fëmijët e tij dhe pretendon se nuk lejohet nga babai prej vitit 2000 të largohet nga vendi dhe ushtria ka ndërhyrë për të penguar disa tentativa të saj për t’u arratisur jashtë Emirateve.

Klan News





Të ngjashme