Telashet nuk kanë fund për Britaninë e Madhe. Tashmë ky vend po përballet me skandalin e radhës, ku 25 vjet pas intervistës së Princeshë Dianës kanë dalë në pah një numër i madh dokumentesh që tregojnë se si ajo u manipulua nga BBC dhe u bind që Pallati mbretëror po komplotonte ekzekutimin e saj.

Edhe pse ka kaluar gati çerek shekulli që nga kjo ngjarje, sërish vijohet të flitet për Princeshë Dianën dhe të fshehtat e saj.

Po çfarë ka ndodhur?

Në 20 Nëntor 1995, Princeshë Diana bëri një intervistë për show-n televiziv të BBC, Panorama. Dhe kjo konsiderohet si një nga rrëfimet më të demaskuese që ishin dhënë ndonjëherë nga anëtarët mbretëror. BBC u përgëzua për këtë. Ju rrit shikueshmëria, sukseset ishin të njëpasnjëshme. Madje edhe sot akoma kryeson si një nga show-t më të ndjekur, me rreth 23 milion britanikë mbërthyer pas televizorit, të cilët sy e veshë dëgjonin rrëfimin e Dianës në lidhje me martesën e saj me Princin Charles.

Dhe kështu, karriera e gazetarit 32-vjeçar, Martin Bashir arriti majat brenda nate. Mediat globale vazhdimisht rikrijonin lajme për një divorc të mundshëm mes Dianës dhe Charles. 55 minuta qenë të mjaftueshme për të shërbyer si “shpullë” për pallatin Mbretëror.

Por dokumentari i krijuar së fundmi, na provon të kundërtën. Titulli është “Diana: E vërteta as intervistës” dhe u transmetua në Kanalin 4, të Mbretërisë së Bashkuar. Krijuesi është ish-punonjësi i BBC, Andy Webb, i cili për herë të parë nxjerr në pah dokumente që provojnë se Princesha e Uellsit ishte shantazhuar dhe manipuluar nga vetë intervistuesi, Bashir për të ekspozuar të gjithë familjen. Versioni i hetuesit përforcohet nga dëshmia e vëllait 56-vjeçar të Dianës, Earl Charles Spencer, i cili akuzoi publikisht BBC dhe theksoi punën jo etike që bënë për këtë intervistë. Kështu erdhi dhe kërkesa për falje publike nga drejtorit i BBC, Tim Davy. Por vëllai i saj luajti rol kyç në vendimin e të motrës për të dhënë intervistën, e cila mendohet se i dha fund Dianës.

U deshën plot tre muaj negociata jo fort të lehta, që një Diana e shkatërruar emocionalisht, të gjente forcën për të dalë përpara kamerave dhe për tu përballur me pyetjet e Martin Bashir.

Martin Bashir

Gazetari ambicioz “e mori kalanë nga brenda”. Ai u takua me vëllain e Princeshës në fund të gushtit të vitit 1995. Rekomandimet për të ishin të mira, por ai kishte me vete dhe një sërë dokumentesh që pretendonte se nxirrnin në pah të vërteta të trishta. Dhe përmes tyre ai bindi Spencer që t’i jepte një mundësi. Si fillim ai informoi të vëllain se çdo lëvizje e së motrës po mbikëqyrej. Për të përforcuar alibinë e tij, ai i tregoi dokumente të llogarive bankare ku viheshin re lëvizjet e parave nga Princi i Uellsit.

Bashiri ishte aq këmbëngulës sa pas pak javësh u ankua përsëri me Spencer në një apartament në Londër ku Diana ishte gjithashtu prezentë. Dokumentet dukeshin si të vërteta por alibia e Bashirit nuk përputhej pasi ai nuk dëshmonte dot kush qe informatori brenda pallatit mbretëror. Ai i tha princeshës se çdo lëvizje po i vëzhgohej, makina i ishte bllokuar si dhe telefoni në pallatin Kensington. Sipas tij, princesha e Uellsit do bënte mirë të mos i besonte askujt përveç vetes. Dhe një farë dyshimi e rrënjosur shumë thellë nga Bashir, gjeti terren ku të lulëzonte.

Spencer ka mbajtur shënim çdo gjë që thoshte Bashir, dhe vuri re se ai shpesh harronte çfarë thoshte, apo ndryshonte historitë. Kështu, e këshilloi të motrën të anulonte intervistën pasi nuk ishte ide e mirë. Por Diana ishte mjaftueshëm e hipnotizuar nga loja e gazetarit. Intervista u xhirua në fshehtësi të plotë dhe Princesha vendosi të mos kursente asgjë. Duke nisur me marrëdhënien jashtë martesore të Charles me Camilla Parker, për të vazhduar me depresionin dhe buliminë e saj, marrëdhënia e saj me oficerin ushtarak James Hewitt etj. Dhe pak ditë pas intervistës, me urdhër të Mbretëreshës erdhi divorci.

Mashtrimet e Bashir e futën Dianën në një labirint të pafundmë gënjeshtrash, nga i cili ajo nuk doli dot më kurrë. Sipas BBC, Diana ka lënë një letër në 1996 ku thotë se informacioni i rremë i Bashir nuk luajti rol në vendimin e saj për dalje publike./tvklan.al