Duka i Edinburg, Princi Philip është parë duke drejtuar makinën pa rrip sigurimi, 48 orë pasi ishte përfshirë në një aksident automobilistik. Policia tha se ka folur me Dukën dhe i ka dhënë këshillat e nevojshme.

97-vjeçari ishte fotografuar duke drejtuar pa rrip sigurimi një automjet të ri “Land Rover”. Policia ishte në dijeni të këtyre fotografive dhe kishte marrë masat e nevojshme. Një zëdhënës policie tha se kjo është një procedurë standarde kur denoncohen imazhe të tilla në shkelje të ligjit.

Por, sipas ligjit të Mbretërisë së Bashkuar, shoferi dhe pasagjerët janë të detyruar të vendosin rripin e sigurimit. Në rast të kundërt, polici i vendos gjobë 100 Paund. Nëse çështja shkon në Gjykatë, gjoba mund të rritet deri në 500 Paund, raporton BBC. Por, shoferëve nuk iu ulen pikët në rastet kur gjobiten për mosvendosje të rripit.

Ditën e premte, Princi Philip u përfshi në një aksident rrugor në Sandringham, ku u përplas me një automjet tjetër. Duka nuk pësoi lëndime, edhe pse automjeti i tij u përmbys. Kurse, nga makina tjetër, Emma Fairweather theu dorën, dhe për “The Mirror” ajo ka thënë se Princi Philip nuk ka kërkuar as ndjesë.

“Unë jam me fat që jam gjallë dhe ai madje nuk ka kërkuar as ndjesë. Prisja më shumë nga Familja Mbretërore”

, tha ajo.

Megjithatë, Emma shtoi se kishte marrë vetëm një telefonatë nga një oficer policie ndërlidhës, i cili i tha se Mbretëresha Elizabeth dhe Duka i Edinburg dëshironin të kujtoheshin për të. Por, për Emmën kjo nuk është një ndjesë.

/tvklan.al