Mohamed bin Salman, princi i kurorës së Arabisë Saudite është blerësi sekret i kështjellës së Luigjit të XIV në Luvsien (Louveciennes) të Francës, vilës më të shtrenjtë në botë me një vlerë prej 300 milionë Euro. E përditshmja amerikane Nju Jork Tajms ka zbuluar se princi Mohamed e ka blerë atë në një ankand 2 vite më parë, por emri i blerësit mbahet zyrtarisht sekret edhe sot e kësaj dite.

Bëhet fjalë për një prej vilave më të shtrenjta në botë, e ndërtuar në shekullin e XVII. Vila 3-katëshe ka një sipërfaqe prej 5 mijë metrash katrorë, me një dizajn të brendshëm të veçantë, kryesisht e shtruar me mermer dhe me piktura murale unike.

Dyshime ka se princi saudit fshihet edhe pas blerjes portretit të Krishtit, veprës së Leonardo da Vinçit e konsideruar si piktura më e shtrenjtë e botës, e shitur në një ankand në Nju Jork për 450 milionë Euro.

Analistët thonë se ai i mban sekret blerjet nga frika e zbehjes së imazhit që po përpiqet të krijojë në Arabinë Saudite si udhëheqësi i ri që po kuron financat në krizë të vendit, në përpjekje për ta shkëputur nga varësia totale e naftës.

Tv Klan