Duka i Kembrixh, Princi William, ka reaguar për herë të parë pas komenteve të bëra nga vëllai i tij Princi Harry dhe bashkëshortja Meghan Markle.

I pyetur nga një gazetar teksa po largohej nga një shkollë në Londër, nëse familja mbretërore e Britanisë është familje raciste, William u shpreh: “Ne nuk jemi aspak një familje raciste”.

Duka i Kembrixh u pyet gjithashtu nëse ka biseduar me vëllain e tij që pas intervistës që dha në televizionet amerikane, por Princi William pohoi se nuk ka folur me Princin Harryn, por u shpreh se do të flasë së shpejti me të.

Të martë, Pallati Mbretëror i konsideroi shqetësuese deklaratat e Princit Harry dhe Meghan Markle për ngjyrën e fëmijës së tyre, dhe tha se çështja do të adresohet privatisht.

Në intervistën televizive, Meghan Markle deklaroi se bashkëshorti i saj Princi Harry ishte pyetur nga një anëtar i familjes mbretërore për ngjyrën e fëmijës së tyre Archie para se të vinte në jetë. Më vonë Princi Harry sqaroi se kjo pyetje nuk iu bë nga Mbretëresha Elizabeth II dhe as nga Duka i Edinburgut, por nuk preferoi të tregonte emrin e anëtarit të familjes mbretërore. /tvklan.al