Nënat surrogato nuk janë një fenomen i përhapur në Shqipëri, ndonëse për surrogacinë ekziston një ligj që e lejon atë që prej 18 vjetësh. Një nënë surrogato është një grua e cila vendos të mbajë në barkun e saj fëmijën e dikujt tjetër. Emisioni “Opinion” solli mbrëmjen e kësaj të marte historinë e rrallë të një gruaje 51-vjeçare, e cila vendosi të mbajë në barkun e saj fëmijën e vajzës së saj 28-vjeçare. Ato përcollën historinë e tyre të veçantë, nga problemet që kishte e reja, deri tek vendimi i nënës për t’u vetëofruar që të mbante në bark fëmijën, tek procedura e ndjekur nga mjekët e deri tek mënyra sesi e priti këtë vendim të vjehrrës, pikërisht babai i fëmijës që do të lindë.

Si reagoi kur e mori vesh që nëna donte të ndërmerrte këtë veprim?

Vajza: Po si mund të reagonte ndryshe, kur e dinim që një shpresë tjetër nuk kishim. U lumturua, sido të vinte, do bëhej baba. E priti mirë.

Si e mori vesh?

Vajza: Në atë kohë bashkëshorti im nuk ndodhej në Shqipëri, sapo ishte larguar. Do ikja dhe unë me të, por ndodhi kjo gjë, nëna ime e vendosi krejt papritur, duke qenë se as me mua nuk e kishte bërë atë bisedë. Si mund të ndodhte ndryshe, u lumturua.

Nga ky moment, pas sa kohësh nisët procedurën?

Vajza: Procedurat u nisën pas analizave, eko, bëmë kontroll të tre, nëna, unë dhe bashkëshorti im, sepse duhet të ishte çdo gjë brenda normave, parametrave të mjekësisë.

Kur e morët vesh lajmin që embrioni filloi që të rritej?

Nëna: U vendos veza, pastaj pas 2 javësh…

Vajza: Doktori më dha lajmin që njëra nga vezoret u pllenua dhe deri tani jemi me sukses. Lotët e mi nuk pushonin, ishin të pashmangshme, nuk mund ta kontrolloja dot veten time që shpresa ime, pavarësisht se asnjëherë nuk ishte shuar, vazhdonte të ishte edhe më e fortë.

Për sa kohë duhet të lindi?

Për shumë pak kohë… varet si do të ecin gjërat./tvklan.al