Ndryshimet demografike por edhe emigracioni masiv ka bërë që sot mijëra të moshuar të jetojnë të vetmuar.  Klan Plus vizitoi çiftin Zeliko dhe Hydai Halipaj, 71 dhe 75 vjeç që jetojnë në periferi të Tiranës. 

Ata janë prindër të 8 fëmijëve. Por pranë tyre nuk kanë asnjërin, pasi shumicën i kanë në emigracion. Ata thonë se kanë kaluar shumë halle, ndërsa çdo ditë jetojnë me shqetësimet që kalojnë fëmijët e tyre, shumë prej të cilave lënë pasoja të mëdha tek dy prindërit e vetmuar.

71-vjeçarja përballet me një sëmundje të rëndë. Krah saj ka vetëm bashkëshortin, i cili i jep gjithmonë kurajo, gatuan, bënë punët e shtëpisë si dhe merret me kopshtin.

Lindjen e shumë fëmijëve ata e lidhin me kohën kur kanë jetuar, pasi asnjë nga 8 fëmijët e tyre nuk ka më shumë se dy fëmijë.

Ata kanë pensione minimale dhe me vështirësi u del pasi të dy marrin ilaçe. 75-veçari i bën apel shtetit që të rishikojë  pensionet si dhe të mundësohet transport urban falas për moshën e tretë pasi nuk e përballojnë dot.

Numri i pensionistëve që jetojnë vetëm po rritet ndjeshëm. Sipas të dhënave rezulton se janë rreth 92 mijë të moshuar të vetmuar ndërkohë që 37% e tyre jetojnë në varfëri. Madje sipas shoqatës së pensionistëve gjatë vitit 2018, 86 persona të kësaj kategorie për shkak të vështirësive kanë shkuar në vetëvrasje.

Klan Plus