Thirrje ndërkombëtarëve të ndërhyjnë pasi Roman Protasevich mund të vritet

Ish-kolegët e gazetarit disident të arrestuar në Bjellorusi ndihen te frikësuar për jetën e tyre. Roman Protasevich, 26 vjeç dhe e dashura e tij ruse Sofia Sapega, 23, të dy po mbahen në paraburgim.

Protasevich ka thënë se i trembet dënimit me vdekje pasi ishte vendosur në listën terroriste. Prindërit e tij janë lutur për ndihmë ndërkombëtare për të lënë të lirë gazetarin. Nga shtëpia e tyre e re në Poloni , Natalia Protasevich, nëna e blogerit, për “Agence France-Presse” u shpreh se ndërkombëtarët duhet t’i vijë në ndihmë.

“Ai është vetëm një gazetar, është vetëm një fëmijë, por ju lutem, ju lutem … Unë jam duke kërkuar lutje për ndihmë. Ju lutem shpëtoni atë. Ata do ta vrasin atë atje . E kanë detyruar të thotë se nuk i kanë ushtruar dhunë. Kjo është një gënjeshtër. Autoritetet  e akuzuan për terrorizëm, çfarë terrorizmi? Ai thjesht tregoi të vërtetën jo vetëm bjellorusëve por të gjithë botës”.

Burri i saj, Dmitry Protasevich, një ish-ushtar, u shpreh se një nga mënyrat se si autoritetet po e torturojnë është duke mos u treguar të afërmve ku mbahen të dashurit e tyre deri në minutën e fundit.

Gazetari bjellorus përballet me akuza në lidhje me raportimin e tij të zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale bjelloruse të Gushtit të kaluar dhe goditjen pasuese të protestave masive të opozitës. Bjellorusia është i vetmi vend evropian që ekzekuton ende të burgosur.

Prej kohësh ai drejtonte kanalin opozitar të medias sociale “Nexta” që është pjesë e aplikacionit të mesazheve Telegram. Nexta ka më shumë se një milion abonentë dhe u përdor për mobilizimin e protestave vitin e kaluar.

Protasevich dhe Sapega u arrestuan të dielën, pas uljes së detyruar të një avioni të kompanisë Ryanair që udhëtonte nga Athina në Vilnius.  Udhëheqësit europianë e klasifikuan veprimin e Minksut rrëmbim, ndërsa Uashingtoni një veprim tronditës. Të dy palët kërkuan lirimin e menjëhershëm të gazetarit.

Klan News