Emisioni “Historia ime”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e dhimbshme të familjes Luka. Dorela Luka 27 vjeç dhe Arjan Luka 28 vjeç rrëfyen në studio sesi ndryshoi jeta e tyre pas ardhjes në jetë të djalit të parë.

Kishin thurur shumë ëndrra, por gjithçka u ndërpre pas lajmit që morën, se djali i tyre vuan nga Sindroma West. Arjani u shpreh se problemi erdhi si pasojë e një lindjeje të sforcuar të gruas.

Shtatzënia kishte shkuar mirë dhe fëmija s’kishte patur asnjë problem. Mjekët i kishin përcakuar gruas lindje natyrale, por pasi hyri në sallë, lindja kishte pasur komplikacione. Arjani thotë se lindja kishte qenë e vështirë, por menjëherë foshnja u mbajt me oksigjen dhe më pas u shtrua në reaminacion.

Mirela Milori: Si ishte momenti kur erdhi djali në jetë?

Arjan Luka: Erdhi çasti që kishte për të lindur nusja.

Mirela Milori: Shtatzënia eci mirë?

Arjan Luka: Eci shumë mirë, i kam bërë të gjitha si i thonë, si për fëmijën tim, se fëmija i parë mezi po prisja të vinte në jetë. Ka bërë vizita, analiza, eko në privat, plus jam lidhur me një doktor shtetëror, aty tek materniteti i Durrësit. Çdo gjë në rregull deri në momentin e fundit kur erdhi koha.

Mirela Milori: Erdhi momenti i lindjes. Pate një lindje normale?

Dorela Luka: Unë nuk isha në gjendje që ta bëja vetë dhe më thanë do ta bësh vetë. Unë i thashë më fut në operim, por nuk dëgjoi as doktori, as infermieri.

Arjan Luka: Ne e dërguam për të lindur, takojmë doktorin, ai që e kishte ndjekur nuk ishte në turn, takuam mjekun që ishte roje. Ai bëri ekon e vet paraparake, çdo gjë në rregull. Mund të mbarojmë punë shumë shpejt.

Mirela Milori: Pra donin me lindje normale?

Arjan Luka: Ata thanë mund të lindë natyralisht.

Mirela Milori: Ti më the që doje me operacion?

Dorela Luka: Unë shkova aty në sallë dhe më thanë do ta bësh vetë.

Mirela Milori: Ti këmbëngule për operacion?

Dorela Luka: Unë këmbëngula që të më bënin operim.

Mirela Milori: Po pse?

Dorela Luka: S’kisha më durim!

Mirela Milori: Sa vazhdoi procesi i dhimbjeve të lindjes?

Dorela Luka: Ka vazhduar 24 orë.

Mirela Milori: Ti linde?

Dorela Luka: Po me vështirësi.

Mirela Milori: Qau fëmija?

Dorela Luka: Jo nuk ka qarë fare!

Mirela Milori: Çfarë të thanë ty?

Arjan Luka: Unë po i prisja tek dera dhe shoh doktorin që hynte, dilte: Hë mo doktor i thashë, ja dhe pak më tha. Isha dhe me mamin tim prezent dhe ajo më thotë, ka lindur nusja. Po si ka lindur se unë se dëgjova fëmijën duke qarë, këtu isha. Edhe interesohem, shkoj tek doktori, i them si është puna:  Ka lindur i lodhur, do e marrë veten. Epo mirë e dërguan atë natë për oksigjen, do përmirësohet tha. Por kur e shoh të nesërmen ma çuan në reaminacion. Më thotë, gjendja u ndërlikua. Po pse? Si ndodhi? Tha jo, nusja s’ka patur mundësi të lindë normalisht./tvklan.al