Mjeku: Fatkeqësisht gjatë një muaji askush nuk është paraqitur edhe ata që fëmiët i kanë me probleme shëndetësore

Autoritetet shëndetësore me fillimin e muajit Nëntor miratuan uljen e moshës së vaksinimit në 16 vjeç, ndërsa për fëmijët më sëmundje kronike në 12 vjeç. Por sipas mjekëve pediatër nuk ka pasur interes nga prindërit për të vaksinuar fëmijët. 

Edhe pse ka gati një muaj që ka nisur vaksinimit anti-covid për fëmijët mbi16 vjeç dhe fëmijët me probleme shëndetësore mbi12 vjeç, prindërit ngurrojnë t’i vaksinojnë.

Bektash Mandri: Më vjen mirë që Shqipëria renditet te vendet që fusin në vaksinim moshat pediatrike, flas për moshat 12+ që janë me sëmundje kronik, që personalisht i kam njoftuar vetë të gjithë prindërit që kanë fëmijët me probleme shëndetësore, por fatkeqësisht askush nuk ka ardhur për vaksinim.

Sipas mjekut pediatër rastet e fëmijëve me Covid-19 vijojnë të jenë të larta. Por simptomat që shfaqin kryesisht janë të lehta.

Bektash Mandri: Situata është nën kontroll, por rastet janë të shumta. Nga 4-5 raste të dyshuar çdo ditë, 2 apo 3 dalin pozitivë. Fëmijët kanë rezerva të mëdha respiratore, kjo është arsyeja që fëmijët nuk preken. Kam pasur plot fëmijë të gjimnazit që kanë qenë sëmurë por fatmirësisht janë kalur pa probleme respiratore.  

Gjatë 28 ditëve të muajit Nëntor janë kryer mbi 175 mijë vaksinime. Interes të lartë ka patur nga të moshuarit për dozën e tretë të vaksinës pasi janë kryer më shumë se 60 mijë doza.

Klan News