Një vajzë e vogël Maddilyn nga Australia vdiq në 25 Maj 2017 pasi prindërit e vendosën në ujë të nxehtë si dënim për ndotjen e pelenave. Ajo pësoi djegie të rënda në shpinë, ije, vithe dhe këmbë.

Prindërit Shane David Stokes dhe Nicole Betty Moore u paraqitën në Gjykatën Supreme të Brisbane të premten dhe u deklaruan fajtorë për tortura dhe vrasje pa dashje të vajzës së tyre.

Gjykata zbuloi se Stokes 33 vjeç ka mbajtur vajzën e tij nën ujë të nxehtë në një vaskë duke e bërë që ajo të ndjente dhimbje torturuese. Uji i nxehtë i shkaktoi djegiet të shkallës së dytë.

Maddilyn u gjet pa ndjenja nga stafi mjekësor pesë ditë më vonë në shtëpi. Çifti u tha policëve se e kishin vendosur në ujë të nxehtë disa ditët para vdekjes së saj.

Ata nuk pranuan të kërkonin ndihmë mjekësore dhe u përpoqën ta kuronin vetë vajzën. Policia gjeti fasha, jastëk dhe letër higjienike me gjak, raportojnë mediat e huaja. Vajza 2-vjeçare vdiq nga arresti kardiak në Spitalin e Fëmijëve, Lady Cilento.

Prokurorja Sarah Farnden tha se vajza kishte pësuar dhimbje torturuese para vdekjes së saj.

“Ajo ka qenë në mjerim dhe ka pasur dhimbje të madhe gjatë asaj periudhe kohore, e paaftë për të ecur. Do ketë qenë e dehidratuar dhe e dobët, e paaftë për të ngrënë dhe për të pirë siç duhet, ndoshta ka pasur të vjella dhe mund të ketë qenë e pavetëdijshme para se të kalonte në arrest kardiak dhe t’i ndalonte frymëmarrja”, u shpreh ajo.

Të hënën, Stokes u dënua me 11 vjet burg dhe Moore 26 vjeç u dënua me 9 vite e gjysmë burg për vdekjen e vajzës së tyre. /tvklan.al