Dita e zgjedhjeve po afron. Na ndajnë 8 ditë nga e diela e 25 Prillit, kur qytetarët shqiptarë do të shprehin me votë preferencën e tyre për qeverinë që do i drejtojë 4 vitet e ardhshme.

Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, ka njoftuar këtë të premte se ka përfunduar printimi i fletëve të votimit për 6 qarqe, të cilat pritet të vijnë sot në Shqipëri.

“Ka përfunduar printimi dhe paketimi i fletëve të votimit për qarqet Vlorë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Elbasan & Fier dhe mbërrijnë në Shqipëri brenda ditës së sotme. Fletët e Votimit po printohen nga kompania sllovene Cetis”, shkruan Celibashi.

Në zgjedhjet e 25 Prillit do të jetë vetëm një fletë votimi. Në garë janë 12 subjekte politike dhe koalicione, ndërkohë që në disa qarqe ka edhe kandidatë të pavarur.

Ndryshe nga vitet e tjera, ndryshimet në Kodin Zgjedhor u kanë dhënë mundësi qytetarëve që të shprehen përveç preferencës së subjektit zgjedhor apo koalicionit edhe për kandidatët që duan në parlament./tvklan.al