Prioritetet e Biden në 100 ditët e para



Prioritetet e Biden në 100 ditët e para

16:11 20/01/2021

Në fokus kryesor përballimi i pandemisë së Covid

Administrata e re e Joe Biden pritet të ketë 100 ditë të para shumë intensive. Kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit pritet të jetë kryefjalë e kësaj periudhe. Ndër masat e para pritet të jenë ato për vendosjen e kufizimeve të ashpra për frenimin e përhapjes dhe mbajtjen me detyrim të maskave në ambiente brenda dhe jashtë vendit, të cilat administrata e pararendësit Donald Trump nuk i aplikoi në asnjë moment në shkallë kombëtare.

Joe Biden mbështet paketën e ndihmës ekonomike prej 1.9 trilionë dollarësh që synon të ndihmojë familjet dhe bizneset e goditura nga pandemia që i ka marrë jetën një numri rekord prej 400 mijë amerikanësh.

Prioritet tjetër është edhe rikthimi në marrëveshjen e 2015 për klimën që u nënshkrua në Paris, prej të cilës Donald Trump e nxori vendin. Biden pritet të kryejë një ndërrim tërësor të qasjes së administratës ndaj refugjatëve dhe emigrantëve. Miliona të huaj të hyrë ilegalisht pritet të ligjërohen dhe të bashkohen me familjarët e tyre. Prej vitesh ata kanë qenë në pritje për shkak të ndryshimit të rregullave nga Donald Trump.

Shpresë për ngrohjen e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara kanë shumë vende europiane si Gjermania e Franca, pas politikave të Trump-it që mbi të gjitha vinte interesin e Shteteve të Bashkuara.

Tv Klan






Të ngjashme