Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të nisë ndërprerjen e njëanshme të 27 kontratave të cilat parashikojnë ndërtimin e 80 hidrocentraleve. Zv/ministri i Infrastrukturës Hantin Bonati, njoftoi në një konferencë për shtyp përfundimin e procesit të skanimit të koncesioneve të dhëna për ndërtimin e HEC-eve. Ai tha se gjetjet e bëra për këto kontrata janë shkelje të rënda, ku subjektet nuk kanë nisur prej vitesh ndërtimin, kanë ndërtuar pa leje ose kanë braktisur punimet për një kohë të gjatë.

“Për të gjithë këto praktika nga ana jonë do të vijohet me procesin e komunikimit me subjektin për ndërprerjen e kontratës në mënyrë të njëanshme duke ju referuar shkeljeve të neneve të saj dhe sipas procedurës ligjore të parashikuar.”

Për 84 hidrocentrale të tjerë, Ministria e Infrastrukturës u ka dërguar shkresë subjekteve ku i kërkon atyre të rinegociojnë edhe njëherë afatet nëse ato nuk janë respektuar për shkak të burokracive shtetërore, apo neglizhencës së investitorëve. Këto kontrata do të jenë në monitorim dhe nëse nuk do të realizohen në kohë, do të penalizohen duke shkuar deri në prishjen e tyre.

“Nëse këto problematika vijnë si pasojë e veprimeve, apo mosveprimeve të subjekteve, do të vijohet me penalitete e deri në fillimin e procedurës për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës.”

Për 153 hidrocentralet e mbetura ministria ka dërguar një shkresë për të gjitha kompanitë koncesionare që po kryejnë këto investime, ku u ka kujtuar afatet e përfundimit dhe penalitetet për mospërmbushje të tyre. Në total në këtë proces janë monitoruar 317 HEC-e, ku 80 rezultuan me shkelje të rënda.

Tv Klan