Mbajtësit magnetikë që ruanin përgjimet thelbësore për hetimet janë prishur e për shkak të këtij incidenti 47 të akuzuar si anëtarë të mafies në Itali, mund të shpallen të pafajshëm.

Lajmi është publikuar nga e përditshmja e Napolit, “Il Mattino”. Mes atyre që do të përfitojnë janë dhe bosët e klanit mafioz Nuvoletta e Abbinante, si dhe vrasësit e gazetarit Xhankarlo Siani. Prokurori ka ndaluar procesin dhe ka kërkuar lirimin e tyre.

Ngjarja e pabesueshme ka lidhje me amortizimin e mbajtësve ku prej 15 vjetësh janë ruajtur përgjimet telefonike në kuadër të një hetimi për trafikun ndërkombëtar të drogës.

Në këtë mënyrë është e pamundur paraqitja e provave që çuan në arrestimin e 47 të pandehurve në vitin 2002, pasi ruajtësit nuk janë më të përdorshëm. Puna e 15 viteve e hetuesve dhe policisë italiane tashmë nuk vlen më asgjë.

Seanca e radhës e gjyqit është programuar për në muajin janar, dhe ndër ata që mund të dalin të lirë nga ajo sallë janë dhe emrat e njohur të dy prej klaneve më të famshme mafioze Nuvoletta dhe Abbinante, që në atë periudhë kishin bërë dhe marrëveshje, mes tyre është Armando Del Kore, me nofkën “bariu”, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Sianit; Raffaele Abbinante, bos në të nëjtin klan si dhe Lorenco e Anxhelo Nuvoletta.

Jo vetëm. Mund të përfitojnë nga ky incident dhe fëmijët dhe nipërit e këtyre bosëve të klaneve që arritën marrëveshje me Korleonezët e Toto Rina./tvklan.al