Pas Shteteve të Bashkuara, edhe Rusia përgjigjet me të njëjtën monedhë, duke prishur marrëveshjen bërthamore të kohës së “Luftës së Ftohtë”. Presidenti Vladimir Putin njoftoi se vendi i tij tërhiqet nga obligimet e traktatit, për mos zhvillimin e raketave bërthamore me reze të mesme.

Putin e urdhëroi Ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov që të mos nisë asnjë bisedim të ri për marrëveshje me SHBA-të, duke thënë se Moska do të presë përgjigjen e Uashingtonit, lidhur me propozimet paraprake të Rusisë për të shpëtuar këtë marrëveshje.

Të premten, SHBA-të vendosën të dalin nga pakti me asokohe ish-Bashkimin Sovjetik. Sipas Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, Rusia e ka thyer disa herë traktatin duke pasuruar arsenalin bërthamor dhe SHBA-të janë të detyruara të tërhiqen. Megjithatë Uashingtoni i la 180 ditë kohë Moskës për të shpëtuar marrëveshjen e firmosur në vitin 1987 mes presidentëve Ronald Regan dhe Mikail Gorbaçov.

Traktati SHBA-Rusi ka eliminuar një klasë të tërë të raketave nga Evropa. Roli kyç që ai kishte për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës, ka shqetësuar ndjeshëm ekspertët ushtarakë, për rinisjen e një gare të ashpër mes dy super-fuqive bërthamore.

Tv Klan