Kallëzim për 3 inxhinierët që kërkuan shembjen

“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” paditi këtë të premte 3 inxhinierët e Institutit të Ndërtimit që firmosën akt – konstatimin për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Artistë dhe aktivistë ju drejtuan Prokurorisë së Tiranës me pretendimin se ata kanë shpërdoruar detyrën, pasi kanë përdorur për këtë vendim një ekspertizë të vitit 2018 pa e inspektuar vetë objektin.

Po ashtu Struktura e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka nisur hetimet pas një kallëzimi nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” ndaj Këshillit Bashkiak të Tiranës, duke e quajtur të paligjshëm vendimin e tij për shembjen e godinës së teatrit.

Mësohet se ky procedim është regjistruar vetëm për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Artistët dhe aktivistët po qëndrojnë pranë teatrit, por grumbullimi i mbrëmshëm me vajtjen atje të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka sjellë penalizime.

Mbrëmjen e së enjtes policia procedoi dhe gjobiti kryedemokratin dhe 39 persona të tjerë. Në njoftim thuhet se ata u grumbulluan përtej fashës së orarit të lejuar në kushtet e pandemisë së COVID-19, duke shkelur masat. Po ashtu atyre ju hoq edhe leja e drejtimit për 3 vjet.

Një masë e ngjashme u mor për kryetarin e Partisë Demokratike dhe disa persona të tjerë edhe nga Policia e Durrësit një ditë më parë, për grumbullim të paligjshëm në ambiente të mbyllura.

Tv Klan