Pasi avionët e NATO-s fluturuan fillimisht mbi Prishtinë qyteti mori një tjetër pamje dhe ritëm jetese. Pjesa më e madhe e banorëve që u kthyen sërish aty nuk e njohën më qytetin. Rrënojat dhe gërmadhat zëvëndësonin sheshet e dikurshme dhe rrugët dukeshin krejt të shkreta. Qyteti nuk u shkatërrua nga lufta ashtu siç u mendua pas efekteve televizive, pjesa kryesore e qytetit ishte e paprekur dhe të vetmet rrënoja i takonin objekteve ku kanë qenë vendosur forcat serbe. Dyqanet dhe gjithçka tjetër ishte plaçkitur, por rrugët filluan të mbusheshin dalë ngadalë.

Prishtina u bë një qytet tjetër, pa administratë. Nëpër mure kishin mbetur ende portretet e liderve serbë, por prania e tyre dukej për banorët e largët.

UÇK kishte zënë një pjesë të pikave strategjike dhe Hashim Thaçi, drejtuesi i saj u nis nga Maqedonia, drejt Kosovës, por destinacioni nuk ishte Prishtina. NATO dhe OKB nuk mund të pranonin atë dhe UÇK-në pa firmosur më parë deminitarizimin e saj. Një marrëveshje, bisedimet e së cilës do të zhvilloheshin në një fshat të vogël të Drenicës pa praninë e gazetarëve. Nga Tetova në Kleçkë të Drenicës së epërme nuk janë më shumë se 27 minuta fluturim. Delegacioni shqiptar nuk ishte shumë i përcaktuar, ndërkohë që në dhomën e vogël kanë hyrë më shumë se tetë vetë, Hashim Thaçi kryeministër i Kosovës, Rexhep Selimi ministër i Brendshëm, Sami Thaçi truprojë, Numam Baliç ministër i Pushtetit lokal i Maqedonisë, Kadri Veseli shef i Shërbimeve Sekrete të Kosovës, Naim Muja shef i rojëve të Thaçit, Ram Buja ministër i Pushtetit Lokal.

Shtëpia e vendosur në malësinë e Drenicës ishte e vetmja zonë që në Kosovë që nuk ishte shkelur nga serbët përgjatë një viti operacionesh. Marrëveshja e Drenicës u nënshkrua mesnatën e 20 qershorit, por nuk ishte ashtu siç e kishin parashikuar aleatët. Thaçi e kishte të vështirë të merrte një vendim. Kur ai u nis nga Tetova gjithçka parashikohej më e lëhtë, kishte parashikuar që marrëveshja do të nënshkruhej atë ditë, por deri pasditen e 20 qershorit teksti qe shkruar e rishkruar dy herë. Arbër Xhaferri kishte një rol të veçantë në këtë marrëveshje. Marrëveshja e demilitarizimit krijon mjaft probleme për UÇK-në, e cila dinte mirë se nuk ishte më koha e armëve. Por ata ishin të sigurtë se nëse forcat e NATO-s do të largoheshin, në Kosovë do të vendoseshin sërish armët dhe jo vetëm në raport me serbët. NATO ka qenë mjaft e kujdesshme me UÇK që ka qenë aleate me vlerë në luftë. Misioni i saj qe kryesisht nxjerrja e formacioneve ushtarake serbe nga pozicionet e tyre dhe më pas NATO vendoste fatin e tyre me bombardime ajrore. Marrëveshja u firmos pasi diplomati Amerikan James Rubin fluturoi disa herë nga Drenica në Shkup dhe nga Shkupi në Bruksel dhe siguruan Thaçin se pas kësaj marrëveshje nuk do t’i mungonte mbështetja.

Bujar Bukoshi qe i pari politikan i rëndësishëm që u shfaq në publik dhe deshi ta tregojë këtë teksa shëtiste në bulevardin kryesor “Nënë Tereza” nën indiferencën e plotë të trupave britanike dhe tankeve të tyre që patrullonin pareshtur.

I pyetur për përshtypjet e para pas rikthimit dhe nëse do kishte probleme për qeverisjen, Bukoshi tha:

“Kam përshtypje fantastike. Me shqiptarët e Kosovës e ardhmja do të jetë e shkëlqyer. Duhet t’i mbështesim gjoksin problemeve me të cilat po ndeshemi dhe t’i tejkalojmë. Mes nesh nuk do të ketë probleme. Në Shqipëri kanë pazar ato muhabete, tek ne nuk shkojnë. Kosova është tjetër. Do t’i kapërcejmë për së miri të gjitha”.

Në atë periudhë qeveritarët e vërtetë të Kosovës nuk ishin ende shqiptarët. Sipas një rregulli të vjetër fitimtarët bëjnë ligjin dhe gjenerali Michael Jackson dhe i dërguari special Sergio de Mello folën për çarmatim dhe mosnjohje të asnjë prej qeverive ekzistuese. Ata do të ngrinin nga e para asdministratën lokale, policinë dhe gjykatat. Dhe me bekimin e tyre do të vinin edhe fondet për rindërtime dhe do të lançoheshin edhe liderët e ardhshëm.

Dokumentari  i realizuar nga Blendi Fevziu është transmetuar në Tv Klan më 22.06.1999