Refuzimi penalizon firmat me 500 mijë-250 mijë lekë gjobë

Të gjitha të dhënat e pronarëve të kompanive “guackë” emrat e të cilëve nuk janë publikë për shkak të regjistrimit në parajsa fiskale, duhet të publikohen në regjistrin e pronarëve përfitues në fund të këtij muaji.

Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, çdo shoqëri offshore që zotëron aksione në Shqipëri, është e detyruar që të depozitojnë brenda 31 Janarit dokumentacion të saktë të pronarit përfitues, deri në masën e 25% të kapitalit të firmës.

Nisma detyron kompanitë që edhe në të ardhmen të pasqyrojnë çdo ndryshim që ndodh në pronësinë e kuotave të aksionerëve brenda 30 ditëve, por nuk detyron kompanitë që të dokumentojnë historikun e pronarëve fundorë, por vetëm të zotëruesve ekzistues të kompanive që prej 31 Dhjetorit 2020.

Në rastet kur kompanitë do të refuzojnë të dorëzojnë të dhënat për regjistrimin fillestar të pronarëve të firmave guackë, ligji penalizon me 500 mijë lekë deri në 250 mijë lekë gjobë shoqërinë dhe 150 mijë lekë përfaqësuesin ligjor të saj.

Një pjesë e mirë e kompanive offshore në vendin tonë kanë kontrata miliona dollarëshe për koncesione në fusha të ndryshme, e një pjesë tjetër operojnë në sektorë strategjikë, pa bërë publikë emrat e përfituesve të vërtetë të tyre.

Nisma ligjore u rekomandua nga Bashkimi Europian si pjesë e luftës kundër pastrimit të parave dhe u mbështet fort nga njësia Moneyval, e cila kishte dhe këtë arsye 1 vit më parë kur rifuti Shqipërinë në listën gri të pastrimit të parave.

Tv Klan