Një ditë pas publikimit të video-dëshmisë së ish-oficerit të policisë Emiljano Nuhu, Prokuroria e Tiranës pritet të sekuestrojë materialin që u transmetua i plotë edhe nga selia e Partisë Demokratike.

Intervista e tij do t’i bashkangjitet dosjes hetimore që ka regjistruar Prokuroria pas kallëzimit të bërë nga ish-oficeri në 1 Gusht për kanosje për shkak të detyrës.

Versioni i dhënë prej tij në intervistën për një media lokale, do të krahasohet me dëshminë që ish-oficeri ka bërë për oficerët e policisë gjyqësore.

Prokuroria do të verifikojë nëse përputhen emrat e personave që janë përmendur nga Nuhu në të dyja dëshmitë. Në sqarimin e një dite më parë, policia tha se ish-oficeri nuk ka qenë në shërbim në datën 21 Korrik kur ai pretendon se është kërcënuar me pistoletë në kokë nga vëllai i deputetit. Po ashtu policia thotë se në kallëzimin e bërë në Prokuroi më 1 Gusht, nuk përmend asnjë prej emrave që deklaron në intervistën në media.

Edhe Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka nisur verifikimet pas kallëzimit më 21 Korrik të Xhisiela Malokut se ndaj saj është ushtruar dhunë nga ish i dashuri, për të parë nesë punonjësit e policisë kanë kryer veprimet si duhet apo jo.

Gjithashtu SHÇBA do të verifikojë nesë Rrahja ka qënë person i shpallur në kërkim në kohën kur ka ndodhur ngjarja. Në 2017 djali i deputetit rezulton se ishte përfshirë në një konflikt në qytetin e Krujës, por mbetet për t’u verifikuar nëse periudha e shpalljes në kërkim përkon me kohën kur ka ndodhur ngjarja në komisariat. Ndërkohë në procesverbalin e  datës 30 Korrik, 25-vjeçarja Xhesiela Maloku ka pranuar përballë oficerit Emiljano Nuhu dhunën që djali i deputetit ka ushtruaj ndaj saj. Maloku ndër të tjera deklaron se është qëlluar disa herë me grusht, madje edhe me qytën e pistoletës.

Tv Klan