Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të shtyjë edhe me 3 muaj të tjerë hetimet për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroret e kësaj çështje kanë pasur një mbledhje këtë të mërkurë, ndërsa firmosja për zgjatjen e hetimeve pritet të bëhet të enjten, ditë kur përfundon dhe afati.

Prokurorët duan më shumë kohë dhe prova që nuk kanë mundur t’i sigurojnë deri tani. Janë kryesisht fakte që priten të vijnë nga Italia dhe Mali i Zi ku janë dërguar letër-porosi. Gjithashtu janë duke u kryer veprime për hetimin pasuror që po kryhet ndaj ish-ministrit të Brendshëm. Saimir Tahiri akuzohet për trafik droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion. Sipas Prokurorisë, ai i ka krijuar lehtësi grupit të “Habilajve” në trafikun e kanabsit drejt Italisë.

Prokuroria e Antimafias së Katanias në 15 Mars të vitit të kaluar, pas 5 muajsh hetime i kërkoi gjykatës pushimin e hetimeve ndaj ish-ministrit pasi nuk gjeti asnjë provë që e lidhte atë me grupin e Habilajve. Një javë më parë, Prokuroria dërgoi për gjykim 9 pjesëtarë të këtij grupi, mes tyre drejtuesin Moisi Habilaj dhe Nazer Seiti, financieri i grupit.

Tv Klan